Policia jep detaje për grabitjen e armatosur në Prishtinë ku policët u lënduan gjatë operacionit të arrestimit

Një person është vënë në pranga nga policia nën dyshimin se kishte kryer një grabitje me armë si dhe kishte sulmuar njërin nga viktimat.

Policia në raportin ditor ka dhënë detaje të rastit duke shpjeguar se si kishte ndodhur ngjarja.

E gjitha kishte filluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Dy persona kishin raportuar në polici se deri sa ishin në vendin e punës, një person i maskuar e me armë kishte grabitur një shumë parash.

Tutje në raport policia ka treguar se i dyshuari pasi kishte kryer grabitjen ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Pasi ishte identifikuar i dyshuari, njësitet policore të vënë pas tij kishin tentuar ta ndalonin të njëjtin por i dyshuari kishte refuzuar të ndalet dhe në këtë mënyrë edhe kishte rrezikuar zyrtarët policorë.

“Pas braktisjes së veturës në një lokacion, i njëjti ka vazhduar në këmbë dhe është arritur që të arrestohet nga njësitë policore, ku si pasojë e rezistencës, gjatë arrestimit të tij kanë pësuar lëndime zyrtarët policorë”, thuhet në raportin e policisë.

Gjatë kontrollit te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 766 euro para kesh, dy telefona celularë, dy pasaporta në emrin e tij, dhe një fishek i armës së zjarrit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore është konfiskuar edhe vetura të cilën  e kishte përdorur  i dyshuari.

Rasti është hapur si grabitje dhe lëndim i lehtë trupor.