Policia identifikon 6 të dyshuar për vrasjen e biznesmenit në Shëngjin, motivi dyshohet të jetë gjakmarrja

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, ka deklaruar se janë identifikuar 6 të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Nikulaj është ekzekutuar në lokalin e tij në Shëngjin më 19.4.2023.

Sipas drejtorit të Policisë, të dyshuarit janë: E.H., me shtetësi shqiptare dhe britanike e 5 të tjerë të huaj; R.R.S., shtetas portugez, H.J.S., shtetas britanik, H.B., shtetase britanike, Th.M., shtetas britanik, S.P.H, shtetas britanik.

Ai tha se të dyshuarit janë larguar nga Shqipëria dhe se Policia po vazhdon hetimet për rastin.

“Grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë pas kryerjes së krimit”, -tha ai.

Ndërsa ka thënë se Prokuroria e Lezhës ka regjistruar vrasjen si vepër penale për motive gjakmarrjeje.

Identifikimi i të dyshuarve, sipas drejtorit Muhamet Rrumbullaku, erdhi pas një hetimi gjithpërfshirës të bërë nga organet ligjzbatuese, dhe sekuestrimit edhe të provave materiale si gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm, një predhë model 54, kalibër 7.62 mm, letërnjoftim, celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike.

Biznesmeni Adrian Nikulaj u qëllua për vdekje nga një persona i maskuar më 19.4.2023 në lokalin “Coral”.