Policia e Kosovës pret Bordin e Drejtorëve të Asociacionit Ndërkombëtar të grave në Polici

Policia e Kosovës ka qenë nikoqire e konferencës ndërkombëtare tre ditore ku ka pritur bordin e drejtorëve të Asociacionit Ndërkombëtar të Grave Police.

Sipas njoftimit të policisë, pritja e një bordi të tillë ishte mundësi e mirë për promovimin e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti të gruas në Policinë e Kosovës për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare.

Policia e Kosovës së bashku me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës në agjendën e saj disa ditore ka paraparë zhvillimin e  punimeve në panele të ndryshme, ku panelistë kanë qenë personalitete të niveleve të ndryshme.

Në këtë konferencë ka qenë i pranishëm edhe Agim Veliu ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Rashit Qalaj drejtor i Përgjithshëm i PK-së, ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, përfaqësues nga zyra për barazi gjinore e kryeministrit, Natalia Apostolova shefe e zyrës së BE-së, Kimberly Rifle menaxhere e programit në ICITAP, Hilmi Jashari Avokat i Popullit, përfaqësues nga misioni i OSBE-së në Kosovës, kryetarët e shoqatës së PK-së dhe IAËP-së, si dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Në këtë konferencë përveç tjerash nga ekspertë të fushave të ndryshme u diskutuan tema me rëndësi për sigurinë dhe rolin e femrave në polici, sfidat në rekrutimin e femrave në institucione të sigurisë dhe barrierat për avancimin e tyre, kuptimi i policimit të bazuar në gjini si mundësi për zhvillimin e përgjegjshmërisë gjinore në polici, qasja policore e përqendruar tek viktimat gjatë proceseve si dhe menaxhimi i rasteve, rastet e dhunës në familje, trafikimi me qenie njerëzore, dhuna dhe abuzimi lidhur me teknologjinë dhe radikalizmin e dhunshëm si dhe tema të ndryshme”, thuhet në njoftim të policisë.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës dëshmuan edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin e përbashkët, drejt fuqizimit të institucionit policor dhe në veçanti fuqizimit të rolit të gruas në polici.