Policia e Kosovës dhe EULEX në vendin ku dyshohet se pati shpërthime disa herë

Policia e Kosovës dhe EULEX-i janë në vendin e ngjarjes në Mitrovicë të Veriut, aty ky dyshohet që sot gjatë ditës pati shpërthime disa herë.

Shpërthimet dyshohet se kanë ndodhur afër zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Policia ka vendosur shiritat në zonë.

KALLXO.com sjell pamje nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për shpërthimet që po dëgjohen në Mitrovicën e Veriut.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar gjatë pasdites së sotme në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Ekipet policore edhe me herët gjatë ditës ishin në vendin e ngjarjes ndërsa në këtë zonë është parë edhe prezencë e KFOR-it, të cilët nuk janë stacionuar në një pikë por po lëvizin vazhdimisht për të mbikëqyrur situatën pas ngjarjeve që u shënuan pasditen e sotme.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me ‘shock bomba” dhe se ka pasur edhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara në veri.