Aparatet e konfiskuara në aksionin e policisë, Foto: Policia e Kosovës

Policia dërgoi mbi 1600 aparatura të lojërave të fatit në objektin e Gjykatës në Prishtinë pa njoftuar askënd, transporti i tyre pritet të kushtojë mbi 19 mijë euro

Policia e Kosovës ka parashikuar se transporti i aparateve të lojërave të fatit që janë vendosur në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës deri te lokacioni tjetër pra, në Kampin “Vrella”, do t’i kushtojë 19 mijë e 908 euro.

Të njëjtit kanë hapur tender për bartjen dhe transportin e këtyre pajisjeve pas kërkesave të Gjykatës së Prishtinës, për të liruar hapësirën e cila shfrytëzohej nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për të transportuar të paraburgosurit drejt sallave të gjykatës.

Një vit më parë, Policia e Kosovës kishte angazhuar një kompani që disa aparatura të lojërave të fatit t’i merrte nga Kampi “Belvedere” dhe t’i dërgonte në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Këto procedura sipas zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi i kishin zhvilluar pa njoftuar menaxhmentin e gjykatës e madje as administratorin.

“Më datë 19.08.2022 Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar njoftimin nga zyrtari i lartë për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Sistemeve te Makinerisë për Ndërtesat Qeveritare – Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN) Qeveritare,  se nga data 20.08.2022 do të bëhet bartja e aparateve të lojërave të fatit nga Belvedere në Pallatin e Drejtësisë”- përshkruan kështu fillimisht rastin zëdhënësja Gashi për KALLXO.com.

Këto aparatura pra ishin vendosur nga kompania e angazhuar në pjesën e garazhit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, në vendin ku ekziston hyrja për të paraburgosurit.

“Menaxhmenti i Gjykatës  Themelore në Prishtinë, kryetarja e Gjykatës dhe Administratori asnjëherë paraprakisht nuk janë njoftuar nga askush se këto aparate të lojërave të fatit do të vendosen në atë hapësirë”- shton Gashi tutje në një përgjigje për KALLXO.com.

Një kërkesë së fundmi që i ka shkuar Policisë së Kosovës, Gjykata i ka kërkuar largimin sa më shpejtë të këtyre aparaturave për shkak se po shkaktojnë problem për transportin e të paraburgosurve.

“Gjykata Themelore në Prishtinë disa herë ka kërkuar lirimin e kësaj pjese ngase përmes kësaj hapësire bëhet transporti i të paraburgosurve”- thuhet tutje në përgjigje deri sa Gashi shton edhe se aktualisht të paraburgosurit, Shërbimi Korrektues i Kosovës i fut brenda objektit të gjykatës në hyrjen e njëjtë me palët tjera dhe stafin.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, Policia e Kosovës është kompetente për ruajtjen dhe sigurimin e provave në procedurë penale.

Kjo sipas përgjigjeve të Gashit, paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në Pallatin e Drejtësisë.

Këto aparatura të cilat janë sekuestruar dhe konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës, duhet të mbikëqyren nga ky institucion.

Kjo për shkak se Agjencia për Administrimin e Pasurisë nuk ka kompetencë që të administroj pasuri që nuk janë në qarkullim të lirë juridik.

Pra Agjencia për KALLXO.com ka thënë se administrojnë pasuri vetëm të cilat jannë të ligjshme dhe të cilat mund të shiten e blihen ligjshëm në treg.

Aparaturat e lojërave të fatit nuk janë pasuri e lirë juridike. Kjo pasi që në Kosovë ekziston Ligji i cili ndalon lojërat e fatit në të gjithë territorin e Kosovës.

“Si rrjedhojë e këtij ligji, aparatet e lojërave të fatit, janë jashtë qarkullimit juridik dhe nuk administrohen nga AAPSK-ja”- thuhet në përgjigjen e Zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për administrim të pasurisë, Enver Krasniqi.

Policia e Kosovës në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com nuk ka treguar se në çfarë mënyre i ka dërguar pajisjet apo aparaturat e lojërave të fatit në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me çka edhe i bllokoi objektin dhe pengoi transportimin e të paraburgosurve përmes asaj hyrje.

“Aparaturat në fjalë, në mungesë të një lokacioni të përshtatshëm, kanë qenë të vendosura përkohësisht në atë lokacion. Shumë shpejt pritet të largohet dhe vendosen në një lokacion më të përshtatshëm”- thotë Policia në përgjigjen për KALLXO.com.

Hapja e tenderit për transportin e aparateve të lojërave të fatit

Bartja e mbi 1 mijë e 600 aparateve të lojërave të fatit nga Pallati i Drejtësisë në Kampin në Vrellë, vend ky i përcaktuar për mbikëqyrje është konsideruar se do t’i kushtojë Policisë së Kosovës në vlerë të 19 mijë e 908 eurove.

Në këtë kamp janë të vendosur edhe Njësitet Speciale, por që nga policia është konsideruar si hapësirë e mbikëqyrjes për aparaturat e lojërave të fatit.

Kjo vlerë e çmimit, është parashikuar nga Policia e Kosovës për tenderin për transportin e makinerive të lojërave të fatit i cili është publikuar në E-Prokurim gjatë ditës së sotme.

Policia e Kosovës ka hapur tender në të cilën kanë të drejtë aplikimi të gjithë kompanitë e interesuara që të bëjnë bartjen e 1 mijë e 659 aparateve të lojërave të fatit nga Pallati i Drejtësisë deri te Kampi Vrella i Njësive Speciale.

Ky kap është përcaktuar si vend për mbikëqyrje nga ana e Policisë së Kosovës i cili është edhe autoriteti që ka hapur tenderin.

Në dosjen e tenderit që është publikuar, thuhet se afati i fundit për pranimin e tenderëve apo aplikacioneve nga kompanitë e interesuara është data 11 gusht dhe kjo kohë është shkurtuar për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë ka kërkuar që të lirohet objekti i tyre sa më shpejtë që është e mundur.

Në dosjen e tenderit të cilën e ka hapur Policia e Kosovës, thuhet se transporti duhet të bëhet për 1 mijë e 600 aparatura të lojërave të fatit me dimensione 80 centimetra, lartësi deri në 200 centimetra dhe pesha e tyre nga 90 deri 120 kilogram për një copë.

Aparatet e tilla duhet të barten apo transportohen me automjete kamion, shleper me pesha prej 8 deri në 35 tonë.

59 aparatura të tjera të cilat pritet të transportohen janë edhe ato me dimensione me bazë mbi 80 centimetra, në formë rrethorë dhe lartësi mbi 200 centimetra, pesha e të cilave sillet mbi 150 kilogram për copë.

Në çmimin apo vlerën e parashikuar prej 19 mijë e 908 eurove hyjnë, ngarkimi, transporti, shkarkimi dhe sistemimi në vendin që caktohet nga Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Policia e Kosovës e që vendi është përcaktuar te Kampi i Njësive Speciale në Vrellë.

Policia sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës para se t’i vendoste aparatet e lojërave të fatit në objektin e Pallatit të Drejtësisë, të njëjta i mbante në kampin “Belvedere”.