Policët dyshohet se ndryshuan gjobën e trafikut, kërkohet suspendim

Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim ndikimi”.

KALLXO.com merr vesh se IPK ka kërkuar suspendimin e komandantit të stacionit të Prizrenit me gradën e majorit Qamil Kronit dhe komandantit të nënstacionit policor të Zhurit me gradën e rreshterit, Zyber Susuri.

Sipas komunikatës së IPK-së, hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar ditë më herët ku hetuesit kishin pranuar informacione se dy zyrtarë policorë kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik, me ç’rast dyshohet se janë ndryshuar neni dhe paragrafi, pastaj është ndryshuar vlera e gjobës.

Dyshimet janë se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar janë larguar edhe pikët negative të shqiptuara si dhe është revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimi i patentë shoferit.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.