Andrej Plenkoviq gjatë takimit me Mirosllav Lajçak/ Foto: Andrej Plenkoviq

Plenkoviq takon Lajçakun në Dubrovnik, diskutojnë edhe për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka takuar emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut.

Nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ai bëri të ditur se kanë folur edhe për Kosovën dhe Serbinë.

“Gjatë Forumit të Dubrovnikut në takim me Mirosllav Lajçak. Diskutuam situatën politike në Europën Juglindore dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Plenkoviq.

Në Forumin e Dubrovnikut po merr pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz.

Pjesëmarrja e saj në këtë forum është bërë me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman.

“Gjatë këtij forumi, Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale”, njofton Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ndërkohë, në margjina të Forumit të Dubrovnikut, siç thuhet në njoftim, Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, “me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.