Pjesëtari i familjes Elshani kërkohet nga Policia e Pejës për dy vrasje e 3 tentimvrasje

Policia e Pejës duke vepruar sipas urdhëresës së Gjykatës së Pejës ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për arrestimin e Adem Helshanit, i cili është anëtar i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës.

Sipas policisë, ai kërkohet për 2 vepra penale të vrasjes se rëndë, 3 vepra penale të tentimvrasjes së rëndë, 1 për lëndim të lehtë trupor dhe një të lëndimit të rëndë trupor.

Për të njëjtin ka fletëarrest ndërkombëtar aktiv që nga viti 2017.

“Policia kërkon nga qytetarët e Republikës se Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmëroje Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor,” thuhet në kërkesën e policisë së Pejës.

Familja Elshani është në konflikt me familjen Kelmendi nga Peja.

Sipas Prokurorisë në konfliktin, mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme  të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokuroria, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Ndërsa anëtari i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, Graniti, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se më 2 janar të vitit 2010 ishte futur në diskotekën “City Club” në Pejë me qëllim për ta privuar nga jeta për motive të hakmarrjes anëtarin e familjes Kelmendi, Valdet Kelmendin.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.