Pesë raste të dhunës në familje në 24-orët e fundit

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje. Rastet e dhunës janë regjistruar në Lipjan, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Veriut dhe dy raste në qytetin e Gjakovës.

Në Lipjan raportohet se pas mosmarrëveshje, një grua ka sulmuar fizikisht me një mjet të fortë bashkëshortin e saj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. E dyshuara nuk është arritur që të arrestohet nga Policia e Kosovës dhe është në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar nga njësitë policore.

Në Komunën e Fushë Kosovës një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari kosovar.

Nga sulmi viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Viktima pas tretmani mjekësor është intervistuar në prezencë të punëtorit social. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistës  është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë janë raportuar dy raste të dhunës. Në të dy rastet, viktima janë gratë që janë sulmuar nga ana e bashkëshortëve të tyre. Viktimat nga sulmet e pësuara kanë pranuar tretman mjekësor.

Ndërsa në Mitrovicën e Veriut raportohet se pas një mosmarrëveshje një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.

I dyshuari është arrestuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.