Foto: Ilustrim

Personi që dyshohej se kishte ngacmuar seksualisht të miturën ishte liruar pas 48 orësh

Policia e Kosovës më 16 gusht kishte raportuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se e kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur dhe se me urdhër të prokurorit i dyshuari ishte dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ai deri sa ka qenë duke punuar taksi ilegal kishte ngacmuar seksualisht viktimën e mitur femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje” – thuhej në raportin e Policisë për datën 15.08.2022.

Mirëpo, i dyshuari, me urdhër të prokurorit kujdestar, ishte liruar pas 48 orëve të mbajtjes.

Lirimin e të dyshuarit e ka konfirmuar për KALLXO.com Prokuroria e Prishtinës.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se, me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, personi me inicialet L.B., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të veprës penale “Ngacmimi seksual” dhe pas analizimit të këtij rasti, i njëjti ka vlerësuar që pas mbajtjes të lirohet në procedurë të rregullt, si dhe rasti të trajtohet tutje” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

Prokuroria gjithashtu ka treguar se ndaj të dyshuarit për ngacmim seksual ka ngritur aktakuzë ditë me parë.

“Kjo çështje penale është deleguar në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm, me ç’ rast Prokurori i Shtetit, më 30.09.2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit L.B., në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”, nga neni 183 të KPRK-së, si dhe të njëjtën e ka deleguar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë” – thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë.

KALLXO.com merr vesh se vajza ishte ngacmuar deri sa po udhëtonte me një taksi ilegal.

Ajo kishte arritur ta incizonte taksistin duke e ngacmuar dhe duke i ofruar favore seksuale.

Sipas asaj që ka kuptuar KALLXO.com taksisti nuk ishte ndalur së ngacmuari edhe pasi që vajza i kishte treguar se mosha e saj është 17-vjeçare.

Në dy muajt e fundit raste të shumta të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale janë raportuar në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë.

Ditë më parë alpinistja nga Peja, Mrika Nikqi, publikoi një video-incizim në të cilën shihet se ishte pre e një sulmi seksual në qytetin ku jeton.

Javë më parë një rast që tronditi opinionin publik u raportua pasi viktimë e një dhunimi ishte një 11-vjeçare. Në dy raste të ndara janë arrestuar më shumë se 10 persona të cilët dyshohen për dhunim, shërbime seksuale dhe trafikim me qenie njerëzore.

Rasti u bë publik fillimisht më 27 gusht, kur viktima dyshohet se është dhunuar nga 5 persona në disa lokacione të ndryshme në një interval kohor prej shtatë orësh.

Tutje doli se e njëjta e mitur kishte qenë viktimë e dhunimit edhe në një rast më herët.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi në lidhje me ngacmimet dhe sulmet seksuale që kanë ndodhur javët e fundit.