Hotel Gray pas bastisjes nga Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Përfundon bastisja në “Hotel Grey” në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës tashmë ka përfunduar bastisjen në objektin e “Hotel Grey”, vend i cili thuhet se është në pronësi të Millan Radoiçiq, të kërkuarit nga organet e drejtësisë, i cili ishte pjesë e grupit terrorist që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është duke zhvilluar operacion në veri të Kosovës, në pesë lokacione të tri komunave, duke kryer bastisje.

Sipas Policisë, këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me sulmin terrorit të 24 shtatorit në Banjskë.

“Këto urdhër-kontrolle janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX dhe KFOR”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com mëson se në pamjet e publikuara deri tash nga operacioni i sotëm në veri, shihet se Policia e Kosovës janë afër restorantit “Grey”, për të cilin është thënë vazhdimisht se është në pronësi të Millan Radoiçiq.

“Hoteli Gray” gjendet në Mitrovicën e Veriut. Burime të KALLXO.com, tregojnë se përpos “Hotel Grey”, Policia e Kosovës, sot ka bastisur edhe një vilë në zonën e liqenit të Ujmanit, e cila dyshohet të jetë në pronësi të Millan Radoiçiq, nënkryetarit të Listës Serbe.

Bastisje janë kryer edhe në Spitalin e Mitrovicës.

Burime të KALLXO.com, tregojnë se Policia ka bastisur edhe një depo në oborrin e Spitalit të Mitrovicës për të kontrolluar nëse ka materiale të dyshimta.