Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Për tre muaj ekonomia e Kosovës ra më shumë se 7%

Të dhënat e fundit të ASK-së, për Bruto Produktin Vendor (BPV), tregojnë se ekonomia e Kosovës pati performancë negative. Ajo pësoi rënie mbi 7 për qind në tre muajt korrik-shtator të sivjetmë, ku sektorët që u ndikuan nga kjo rënie e ekonomisë është tregtia, transporti, akomodimi dhe ndërtimi përderisa pati rritje të lehtë në sektorët e tjerë.

Në tremujorin e tretë të sivjetëm ekonomia e Kosovës pati performancë negative më shumë se 7 për qind.

“BPV-ja në TM3 2020 shënon rënie reale për (-7.25%), krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019). Aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie në këtë tremujor ishin: ndërtimi (-16.77%); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore (-16.89%); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (-3.67%)”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë 6.7 për qind; informacioni dhe komunikacioni 3.65 për qind; aktivitetet e pasurive të paluajtshme 2.81 për qind; artet, argëtimi dhe çlodhja, dhe aktivitete të tjera shërbimi 3.67 për qind; administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia 3.59 për qind; aktivitetet profesionale dhe administrative 3.3 për qind; dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi 0.58 për qind.

Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rënie janë: formimi i bruto kapitalit -10.18 për qind; eksporti i shërbimeve -59.62 për qind; dhe  importi i mallrave dhe shërbimeve -13.51 për qind.

Shpenzimet e konsumit dhe ekonomive shtëpiake shënuan rritje.

“Ndërkohë, rritje në këtë tremujor kishte: eksporti i mallrave (3.55%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (16.92%);  dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (5.99%)”, bën të ditur ASK.

Ndërsa, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake kishin rritje nominale për 2.53 për qind në TM3 2020,  krahasuar me tremujorin paraprak.

Bruto Produkti Vendor (BPV) paraqet performancën e ekonomisë së një shteti në një periudhë të caktuar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.