Ilustrim

Pentagoni: Rusia ka mjaftueshëm trupa dhe pajisje në kufi me Ukraninën sa mund të pushtojë gjithë vendin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vendosur trupa dhe pajisje ushtarake të nevojshme për të pushtuar gjithë Ukrainën, kanë njoftuar udhëheqësit e Departamentit të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Pentagoni).

New York Times raporton se Rusia ka mbledhur më shumë së 100 mijë trupa në kufi të Ukrainës, përderisa zyrtarët konfirmuan zyrtarisht për herë të parë atë që analistët e inteligjencës kishin përshkruar për javë të tëra.

Ato trupa kanë aftësinë për të lëvizur në të gjithë Ukrainën, njoftojnë zyrtarët e Pentagonit.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III, përshkroi një sërë formacionesh ruse të armatosura të kombinuara, atelieri dhe raketa të mbledhura në kufirin ukrainas, të cilat ai tha se “ tejkalojnë atë që ne zakonisht do t’i shihnim të bënin për stërvitje”.

Gjenerali Mark A. Milley, ishte më i drejtëpërdrejtë për këtë çështje.

“Unë mendoj se do të duhet të kthehesh për një kohë të gjatë në ditët e Luftës së Ftohtë për të parë diçka të këtyre përmasave”, ka deklaruar Gjenerali Milley.

Zyrtarët amerikanë vlerësuan se 35,000 amerikanë janë në Ukrainë, duke përfshirë 7,000 njerëz që janë regjistruar në Ambasadën e ShBA-së në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Ndërkaq Departamenti i Shtetit këshilloi amerikanët që të largohen nga vendi dhe kanë filluar të zbrazin ambasadën, pasi zyrtarët e Pentagonit e dinë mirë nga përvoja e tyre në Afganistan gjatë verës se qytetarët amerikanë shpesh nuk i dëgjojnë këto këshilla.

Sekretari i Mbrojtjes nuk përjashtoi mundësinë që trupat amerikane të dërgohen në Ukrainë për të evakuuar amerikanët nëse Rusia pushton dhe ka luftime në rrugët e Kievit. Por kjo është pikërisht lloji i situatës që zyrtarët amerikanë kanë frikë se mund të çojë në përshkallëzimin që udhëheqësit e Pentagonit duan të shmangin.

New York Times, po ashtu bën të ditur se janë vendosur 8,500 trupa amerikane në gatishmëri të lartë për dislokim të mundshëm në Evropën Lindore, ku shumica e tyre do t’i bashkoheshin një ekipi të reagimit të shpejtë të NATO-s prej 30,000 deri në 40,000 trupa.

Në anën tjetër, presidenti i ShBA-së, Joe Biden bëri të qartë se ai nuk ka ndërmend të vendos trupa amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në shmangien e një pushtimi dhe gjithashtu tregoi këtë javë se ai mund të dërgojë veçmas trupa shtesë te aleatët e Evropës Lindore që janë të shqetësuar për përparimet ruse.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, kështu që Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë detyrim traktati për ta mbrojtur atë.