Pensionistët aplikojnë nëpër organizata, por nuk e dijnë për çka

Pensionistë të shumtë prej komunave të Kosovës prej fillimit të muajit prill 2024, ja kanë mësyrë zyreve të organizatave të pensionistëve, për të aplikuar me shpresën se do të marrin shtesa nga Qeveria e Kosovës.

Kjo pasi që Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka filluar një organizim, përmes të cilit po synon që të padisë Qeverinë e Kosovës për mosrritje të pensioneve.

Por organizimi i pensionistëve është shoqëruar me dezinformata dhe keqinformim sa që pensionistët të cilët po aplikonë nëpër këto zyre, nuk e dijnë për çka janë duke aplikuar.

Ekipi i KALLXO.com ditëve të fundit ka vizituar zyret e pensionistëve nëpër komunat, si: Malishevë, Prizren dhe Prishtinë dhe ka parë që në Malishevë, përveç që pensionistët nuk e dinin se për çka aplikojnë, ata paguanin edhe nga 3 euro në emër të anëtarësimit në organizatën pensionale. Por shpresa e tyre është se përmes kësaj pagese prej 3 euro, të merrnin edhe “shtesat prej Qeverisë”.

Ismet Hoti, pensionist nga Malisheva thotë se “ka dëgju se krejt po aplikojnë”.

“Vallahi qishtu krejt kanë apliku, jo për pensionera… një ndihmë. Tri euro i pagova për një person. Për vëlla, edhe për gru të vëllaut ka tri euro gjashtë euro. Tash në qoftë se i qesin qato pare që po thojnë, ka 500 euro i qesin. Po presim në qoftë se i qesin. I qitshin mirë, mos i qitshin çka kena me bo” – ka thënë pensionisti Hoti.

Në anën tjetër, kryetari i pensionistëve të Malishevës, Ali Jonuzaj, thotë se pensionistët janë duke i bërë këto aplikime, që përmes një avokati, të paditet Qeveria e Kosovës dhe përmes padisë të kërkohet kompensimi në pensione për shkak të inflacionit në tri vitet e fundit në Kosovë.

“Këto janë për inflacion, stimulim i pensionistëve që e kanë të drejtën me u stimulu për tri vitet e fundit, për 21, 22 dhe 23 (vitet), edhe po aplikojnë vullnetarisht, vetanak, që e kemi autorizimin e avokatit. Çdo njëri e ka veç e veç aplikacionin. Aplikacionet i merr avokati, edhe ai i çon në rrugë ligjore. Avokati është Zahir Hamza. Është prej Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës (i angazhuar). Tre avokatë janë, e ky është avokati i jonë që e ka për detyrë që e ka marrë përsipër me ju ndihmu pensionistëve të komunës së Malishevës. E për të tjera komuna nuk e di a ka” – ka thënë Jonuzaj.

Zahir Hamza është njëri nga avokatët që është kontraktu nga Lidhja e Pensionistëve, në mënyrë që të ndjeken rrugët ligjore për pensionistët.

Ai thotë se pensionistët janë duke kërkuar një kompensim retroaktiv për shkak të inflacionit në tri vitet e fundit.

Sipas avokatit Hamza, ende nuk është e përcaktuar saktë se si do të bëhet kërkesa për kompensim, me padi apo me takime me minsitrinë.

“Ne si avokat e kemi rrugën tonë ligjore, fillimisht i marrim dosjet, autorizimet prej palëve dhe i inicojmë çështjet me padi kuptohet dhe i kërkojmë pjesën e kompensimit që i takon bazuar në Ligjin për Skemat Pensionale, kuptohet me padi dhe besoj që gjykata do të ketë një vendim meritor bazuar në ligjin, një vendim të drejtë. Por besoj që gjykata do t’i trajtojë këto çështje me dinjitet dhe në mënyrë profesionale” – ka thënë Hamza.

Në edicionin e së premtes në KallxoPërnime po transmetohet Reportazhin mbi Dyshimet për pensionet.

Si pensionistët ja kanë mësyrë qendrave nëpër komuna me shpresën se kanë me marrë shtesa prej Qeverisë?

Çka po ndodhë nëpër këto qendra dhe a janë të informuar pensionistët për çka po aplikojnë?

Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit po transmetohet debati me temë pensionistët dhe problemet e komunave për kompensimin e pagave të mësimdhënësve.

Sa para detyrohen të paguajnë komunat për komensimin e pagave për mësimdhënës? Ku i marrin ato para komunat? Sa po dëmtohet buxheti i shtetit me procedura të panevojshme administrative?