Peach: Keqpërdorimi i fondeve publike, problem madhor për politikën shqiptare dhe rajonin

Sir Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në një artikull autorial ka thënë se vendi i tij mbështet reformat në Shqipëri.

“Ne do t’ju mbështesim në reformimin e zgjedhjeve tuaja dhe në të gjitha përpjekjet tuaja për transparencë, llogaridhënie dhe demokraci. Ne do të ndihmojmë në rritjen e angazhimit qytetar për të kërkuar llogari nga qeveria”, ka shkruar ai.

Sipas tij në Shqipëri, me reformën në drejtësi, Agjencinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit është duke u vërejtur një hap të vogël për ndryshim.

Ai po ashtu ka përmendur edhe mbështetjen e politikanëve nga “kriminelët”, dhe problemet me zgjedhjet e fundit në Shqipëri.

“Mbështetja që disa personazhe publike marrin nga kriminelët në këmbim të korrupsionit të tyre mbyt zërin e popullit shqiptar. Siç tregon raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, blerja e votave dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdojnë të jenë një problem madhor në politikën shqiptare”, ka thënë ai.

Sipas tij në Shqipëri nevojiten reformat zgjedhore.

“Për sa kohë që politikanët janë në gjendje të punojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe frikësuar votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka pasur një mesazh për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për ata që janë të përfshirë në krim ose korrupsion është ky: promovimi i krimit ose korrupsionit – qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë – nuk do të shkojë pa pasoja dhe nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretëria e Bashkuar”, ka theksuar ai.

Emisari ka shtuar se “krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri – dhe më gjerë në rajon – nënkuptojnë gjithashtu se shuma të mëdha fondesh shtetërore, të mbledhura nga taksapaguesit e zakonshëm, nuk arrijnë kurrë në shkollat, spitalet dhe rrugët që shqiptarëve u duhen për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë”.

Peach së fundi ka vizituar Tiranën, Shkupin e Podgoricën.