Naser Sahiti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pasuria e rektorit të UP-së, vozit Golf 7 e mbi 40 mijë euro të gatshme

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti ka deklaruar se posedon mbi 44 mijë euro para të gatshme.

Rektori Sahiti këtë e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, e që kjo shumë përfshin të hyrat e tij, të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Sahiti në bankat e Kosovës ka deklaruar 41 mijë e 937 euro para të gatshme personale, ndërsa bashkëshortja e tij ka 296 euro dhe fëmijët e tij 2 mijë e 552 euro.

 

Rektori i Universitetit më të madh në vend ka pasuri të paluajtshme në vlerë 600 mijë eurove, që përfshijnë: Shtëpi, tokë bujqësore, banesë dhe garazhe.

Si pasuri të luajtshme ai ka dy vetura, një personale dhe një të bashkëshortes që kapin vlerën prej 24 mijë euro. Ai ka deklaruar se posedon një ‘Golf 7’, kurse gruaja e tij një ‘Golf 6’.

Si të hyra vjetore që nga emërimi si rektor në tetor të vitit 2020, ai ka deklaruar 9 mijë e 590 euro që përfshijnë pagën e tij dhe të bashkëshortes, e cila po ashtu punon në Universitetin e Prishtinës.

Sahiti ka deklaruar se nga tetori 2020 kur u emërua si rektor e deri më dhjetor 2020, nga UP-ja ka marrë 5 mijë e 573 euro.