Pasi mposhti virusin, 25 vjeçares i rikthehet nuhatja që i mungonte që nga fëmijëria

25 vjeçarja, Nancy Simpson nga Londra, e cila mposhti COVID-19, tani më mund të nuhasë për herë të parë që nga fëmijëria, raporton The Sun.

Simpson është rritur pa shqisën e nuhatjes por, ajo ishte shtangur kur hunda e saj filloi të nuhas pasi u infektua me COVID-19 gjatë Krishtlindjeve.

Simpson ka thënë se rikthimi i nuhatjes për të është ndjenjë e papërshkrueshme dhe tani më ka mbushur shtëpinë e saj me qirinj aromatik, po përdorë parfum dhe mund të shijojë erën e frutave dhe erëzave në kuzhinën e saj.

“Mund të ndjeja shijen edhe më parë po tani ushqimi shijon edhe më mirë. Gjërat që më pëlqen më së shumti t’i nuhas janë frutat, aromën e frutave, qirinjtë dhe përdorimi i erëzave në gatimet e mia. Po e përdori parfumin më shumë dhe po ndezi shumë qirinj”, ka thënë Simpson për The Sun.

Ajo ka treguar se më parë nuk i pëlqente shija e salmonit por që tani i pëlqen me të vërtetë shumë.

“Nuk më pëlqente të haja salmonin por tani më pëlqen me të vërtetë shumë, pra do të provojë lloje të ushqimit që nuk më pëlqenin më parë dhe të shoh se si më duken tani”, shpjegon Simpson.

Miliona britanikë e kanë ndjerë gjendjen e Nancy gjatë pandemisë me anosminë, e cila ka të bëjë me humbjen e shqisës së nuhatjes , që është një simptomë e zakonshme e infektimit me COVID-19.

Doktoresha Jane Parker, eksperte e shijimit dhe nuhatjes në Universitetin “Reading”, ka thënë se infeksionet virale mund të dëmtojnë nervat në hundë, gjë që i ndalon ata të dërgojnë sinjalet e duhura në tru.

Shumicës së njerëzve u rikthehet shqisa e nuhatjes derisa shërohen, por disa vuajnë ndryshime afatgjata apo edhe të përhershme në erën ose shijen e tyre.

Dr.Parker ka thënë se rasti i Nancy-t ishte interesant dhe se nuk e kishte hasur ndonjë të tillë në Britani të Madhe.

Vazhdojmë të gjejmë raste të çuditshme aty-këtu që nuk mund t’i shpjegojmë. Ka shumë pak kërkime për shqisën e nuhatjes dhe nëse nuk e keni humbur atë ose keni jetuar me dikë që e ka humbur, thjesht nuk e kuptoni ndikimin që ka. Për disa njerëz mund të jetë shkatërruese”, ka treguar Parker.