Pas vendimit të Qeverisë Kurti, Serbia rimerr primatin në tregun e Kosovës

Serbia e ka marrë primatin e importuesit me të madh në Kosovë krahasuar me vendet e rajonit. Qeveria e Kosovës kishte vendosur më 20 maj për heqjen e tarifës 100% për lëndën e parë, kurse me 1 prill e ka hequr komplet tarifën 100% për mallrat e Serbisë duke e zëvendësuar atë me masën e reciprocitetit.

Përkundër masës së reciprocitetit, nga Serbia në muajin prill janë importuar mallra në vlerë prej 15.1 milionë euro. Kurse, në muajin prill të vitit të kaluar vlera e importeve nga Serbia ishte vetëm 637 mijë euro që i bie se pati rritje të importit për 14.5 milionë euro.

Krahasuar me vendet e rajonit, Serbia kishte pjesëmarrje më të lartë për import me 7.8% të totalit të importit e pasuar nga Maqedonia me 5.3% dhe Shqipëria me 3.9%. Vlera e importeve nga Shqipëria, shprehur në vlerë, ishte 7.4 milionë euro, apo përgjysmë më pak se sa nga Serbia.

Kurse, vlera e eksporteve të Kosovës në muajin prill arriti në 32.6 milionë euro. Eksportet në vendet e BE-së ishin në vlerë prej 12.4 milionë euro, kurse në vendet e CEFTA-së 16.2 milionë euro.

Në muajin prill të sivjetmë, pati mbi 161 milionë deficit tregtar ndërsa eksporti mbuloi vetëm 16.9 përqind të importit. Kemi pasi një rënie të deficitit tregtar, kryesisht për shkak të rënies së vlerës se importeve.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6%) në muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.9%”, thuhet në komunikatë.

ASK thotë se eksporti i mallrave në muajin prill 2020 kishte vlerën 32.6 milionë euro, ndërsa importi 193.9 milionë euro, që është një rënie prej -11.5 përqind për eksport dhe -34.4 përqind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Në muajin prill, rreth gjysmën e eksportit të Kosovës e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 45.3% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.3% e përbëjnë produktet minerale; 4.6% e përbëjnë produktet bimore; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”, bën të ditur ASK.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani dhe 13% përqind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike. Kurse 10.9% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 9.9% e përbëjnë produktet minerale dhe 9.8% e përbëjnë produktet bimore.

Eksporti i mallrave të Kosovës drejt vendeve të BE-së arritën në 12.4 milionë euro, ose rreth 38.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1.1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8.9%), Britania e Madhe (5.6%), Holanda (4.0%), Suedia (4.0%), etj.”, bën të ditur komunikata.

Tutje thuhet se importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 95.4 milionë Euro, ose 49.2 përqinde importeve të përgjithshme, me një rënie prej -38.9 përqind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 10.2 përqind, Greqia (6.7%), Italia(4.8%), Polonia (3.9%), Bullgaria (3.8%),  Kroacia (3.3%), etj.