‘Varësia’ nga Serbia, Kosova importoi mbi 300 milionë euro mallra gjatë vitit 2021

Kosova gjatë vitit 2021 ka importuar nga Serbia mallra në vlerë 305 milionë e 398 mijë euro.

Kjo shifër gati është dyfishuar në krahasim me vitin paraprak, 2020, ku vlera e mallrave të importuara nga Serbia ishte 173 milionë e 428 mijë euro.

Por Dogana e Kosovës ka thënë se nuk mund të bëhet krahasim real me vitin 2020 dhe 2019, sepse gjatë këtyre viteve kishte masa mbrojtëse si reciprociteti apo pandemia COVID-19.

Krahasimi më real, sipas Doganës së Kosovës, mund të bëhet me vitin 2018 apo 2017. Sipas të dhënave, në vitin 2021 ka rënie të importit nga Serbia për 27.58% krahasuar me vitin 2018, ndërsa 36.8% krahasuar me vitin 2017.

Por sa ishte vlera e importit nga Serbia ndër vite?

Në 5 vitet e fundit, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia në vitin 2017.

Në vitin 2017 vlera e importit të mallrave nga Serbia ishte 449 milionë e 305 mijë euro, në vitin 2018 ishte 386 milionë e 475 mijë euro, më 2019 ishte vetëm 4 milionë e 443 mijë euro. 2019-ta ishte viti kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë 100% për produktet që vinin nga Serbia.

Në vitin kur u shfaq pandemia, 2020, vlera e importit nga Serbia ishte 173 milionë e 428 mijë euro.

Kurse në vitin 2021, vlera është rritur përsiri dhe ka arritur në 305 milionë e 398 mijë euro.

Por, Dogana e Kosovës thotë se ka rritje të importit nga Shqipëria. Mallrat që vijnë nga ky shtet zënë 6% të tregut të importit, sipas tyre, apo në vlerë prej 285 milionë euro.

Nëse e krahasojmë me vitin 2015 me mallrat e Serbisë, importi nga Shqipëria ka shënuar dukshëm rritje.

“Nëse e krahasojmë me mallrat e Serbisë, në vitin 2015 ky proporcion ka qenë pothuaj qind për qind më i vogël, pasi që nga Shqipëria kemi importuar mall në vlerë prej 143 milionë euro ndërsa nga Serbia në vlerë prej 372 milionë në 2015, apo që ka përbërë më shumë se 10 % të tregut nga importi, ndërsa sot të dyja këto vende furnizojnë rreth 6% të tregut nga importi”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

“Bojkoto produktet e Serbisë”

Së fundmi, është riaktualizuar thirrja për të bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, javën e kaluar bëri thirrje që të bojkotohen produktet e Serbisë.

Ai shkroi në rrjetin social ‘Facebook’, se në këto kohë të ndjeshme brenda mundësive mund të bëjnë të gjithë nga pak për vendin.

“Ta orientojmë së bashku konsumin në produkte vendore. Ta forcojmë sadopak ekonominë tonë. Ose së paku, t’i shmangim ato mallra që financojnë një ekonomi që ushqen makinerinë ushtarake e cila çdo ditë kërcënon me zhdukje vendin tonë. Duaje tënden. Bojkoto produktet e Serbisë”, kishte shkruar Abrashi.

Në lidhje me importin nga Serbia, ditëve të fundit ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kritikuar Qeverinë Kurti, rreth çështjes së taksës për produktet serbe.

“Pas heqjes së taksës Serbia po kthehet fuqishëm në tregun e Kosovës. Shiheni sa kanë qenë importet e Serbisë në Kosovë në shkurt të vitit 2019, e sa është në shkurtin e vitit 2022. Ku mbet sllogani i Kurtit “mbroje tëndën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kujtojmë që në nëntor të vitit 2018, Haradinaj kishte marrë vendim për taksë 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, si ‘kundërpërgjigje’ pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, për të cilën Serbia kishte lobuar fuqishëm kundër Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar Odën Ekonomike të Kosovës për të marrë komentin e tyre rreth ‘aftësisë’ së Kosovës për të bojkotuar produktet e Serbisë, por deri në publikimin e këtij shkrimi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Çka u importua më së shumti nga Serbia në vitin 2021?

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, Kosova nga Serbia ka importuar më së shumti drithëra në vitin 2021. Gjithsej janë importuar 125 milionë e 507 mijë kilogramë, në vlerë prej 28 milionë e 983 mijë euro.

Për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë vendim që të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga 10 marsi 2022.

Pastaj janë pijet dhe alkoolet, në sasi prej 113 milionë e 613 mijë kilogram, në vlerë 44 milionë e 886 mijë euro.

Në vendin e tretë janë kripërat, sulfuret, oksidet dhe gurët, që sipas Doganës janë importuar 98 milionë e 583 mijë kilogramë në vlerë totale prej 2 milionë e 456 mijë euro.

Produktet qeramike janë në vendin e katërt, si produkti më i importuar nga Serbia. Sasia e importuar është 73 milionë e 194 mijë kilogramë ndërsa vlera arrin në 8 milionë e 900 mijë euro.

Kurse produkti i pestë janë lëndët djegëse minerale. Sasia e importuar është 48 milionë e 423 mijë kilogramë, kurse vlera është 18 milionë e 768 mijë euro.

Ndërsa sasia totale e mallrave të importuara nga Serbia gjatë vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, është 710 milionë e 394 mijë kilogramë në vlerë totale prej 305 milionë e 398 mijë euro.