Nga një pikë kufitare e vendit | Foto: KALLXO.com

Heqja e reciprocitetit, Dogana e Kosovës jep informacione për hyrjen në Kosovë të mallrave serbe

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se respekton secilin vendim të Qeverisë së Kosovës, përfshrë këtë të fundit për heqjen e reciprocitetit për mallra që vijnë nga Serbia.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për KALLXO.com se aktualisht në vend janë duke hyrë disa maune me produkte nga Serbia.

“Sot kemi 2-3 maune që janë në proces të hyrjes për momentin. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme sepse edhe në kohë normale është i njëjti fluks”, ka thënë ai.

Sipas Stavilecit, zakonisht të shtunën dhe të dielën fluksi i mauneve është shumë i ulët.

“Dogana e Kosovës i resekton të gjitha vendimet të cilat i merr Qeveria  e Republikës së Kosovës dhe këtë vendimin e fundit do ta respektojmë”, ka thënë zëdhënësi i Doganës për KALLXO.com.

Qeveria Hoti sot në mbledhjen e saj ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke hequr pengesat e dialogut. Ne presim të njëjtën gjë nga pala serbe që t’i hiqen pengesat, e të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë ishin vendosur nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeminstri Albin Kurti me datën 1 prill 2020.