Pas raportimit të KALLXO.com, IPK fillon hetimin për Policinë e Kosovës që zbatoi vendimin e Qeverisë së Serbisë

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet për Policinë e Kosovës në lidhje me raportimin e KALLXO.com se policia po dyshohet se zbatoi vendimin e Qeverisë se Serbisë për 24 orë.

IPK-së, kanë thënë për KALLXO.com se kanë iniciuar rast dhe kanë filluar hetimet për veprimet e policisë.

Duke ju referuar kërkesës suaj, Inspektorati Policor i Kosovës ju njoftojnë se lidhur më këto dyshime të ngritura, Departamenti i Menaxhimit të Ankesave sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rastin në fjalë dhe tani është në fazën e hetimit preliminar”, ka thënë IPK.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se të dhënat zyrtare të institucioneve të sigurisë në Kosovë tregojnë se ka dyshime që Policia e Kosovës për 24 orë kishte zbatuar vendimet e qeverisë së Serbisë në 4 komuna të veriut.

Ndonëse nuk ka pasur asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës më 7 korrik, pjesëtarë të Policisë së Kosovës kishin zbatuar vendimin e Qeverisë së Serbisë që e kishte shpallur presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Goran Rakiq.

Më datën 7 korrik nuk ka pasur asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës që kufizon lëvizjen e qytetarëve pas orës 21:00 për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Vendimi i Qeverisë, i datës 8 korrik, ishte një tentim për të mbuluar ato çfarë ndodhën 24 orë më herët, më 7 korrik në katër komunat veriore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e minoritetit serb, Goran Rakiq përmes një konference për media kishte njoftuar se shtabet emergjente të katër komunave do të marrin vendim për të kufizuar lëvizjen, në bazë të vendimit të Qeverisë së Serbisë.

“Nga sot dhe gjatë javës në vijim, nga ora 21 në mbrëmje e deri në 5 të mëngjesit ndalohet lëvizja e të gjithë personave, përpos atyre që janë përgjegjës për luftën kundër pandemisë dhe mirëmbajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, është vendim i Shtabeve të Krizës, ka theksuar Rakiq, raporton Kossev.

Kjo konferencë e Goran Rakiqt ishte mbajtur disa orë pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se do t’i vendosin masat e qeverise serbe në katër komunat e veriut të Kosovës.