Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com

Pas problemeve të vazhdueshme me ventilim dhe ajrosje, Pallatit të Drejtësisë po i vendosen dritaret (FOTO)

Pas problemeve me ventilim e ajrosje, objektit shumëmilionësh të Pallatit të Drejtësisë do t’i vendosen dritaret. Xhamat statikë të cilët ishin vendosur në kohën e ndërtimit të tij, do të zëvendësohen me dritare.

Vendosja e këtyre dritareve ka filluar të bëhet në objektin A, ku është e vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Prishtinës.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me problemet e vazhdueshme me ajrosje dhe ventilim sidomos gjatë stinës së verës, kur edhe punëtorët janë ankuar për temperaturat e larta brenda objektit.

Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar se brenda 10 ditëve, tre punëtorë të Prokurorisë ishin alivanosur.

Për shkak të këtyre problemeve, ishin mbajtur edhe protesta në Pallatin e Drejtësisë. Në atë kohë, kryetari i Këshillit Organizativ, Burim Neziri, kishte thënë që punëtorët po përballen me temperatura deri në 35 gradë Celsius, për shkak të mosfunksionimit të klimatizimit. Ndër kërkesat e punëtorëve kishte qenë edhe hapja e dritareve në këtë objekt me xhama statikë. Protestat fillimisht ishin 2-orëshe por kishte paralajmërime edhe për grevë.

Guri i themelit të Pallatit të Drejtësisë ishte vendosur në vitin 2011. Ky objekt që ka kushtuar rreth 30 milionë euro ishte përfunduar në vitin 2014, për t’u funksionalizuar në vitin 2015. Në këtë objekt që është financim i Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, të vendosur janë Gjykata dhe Prokuroria e Prishtinës, Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme.

Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com
Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com
Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com
Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com
Pallati i Drejtësisë, Foto: KALLXO.com