
Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban
Trafiku Urban tregon shkakun e ndërprerjes së linjës për bartjen e punëtorëve të Pallatit të Drejtësisë
Janë bërë disa javë që linja e kontraktuar e Trafikut Urban që bartte punëtorët e Pallatit të Drejtësisë, nuk është në qarkullim.
Trafiku Urban në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se muajve të fundit është rritur numri i qytetarëve që po përdorin autobusët, derisa, për punëtorët e Pallatit të Drejtësisë u është dashur të dërgojnë dy autobusë, duke ulur nivelin e shërbimit në linjat që mbulojnë.
“Autobusët e TU-së janë të destinuar për ofrimin e shërbimeve të transportit publik në linjat e qytetit. Gjatë muajve të fundit është vërejtur se është rritur numri i qytetarëve të cilët i shfrytëzojnë autobusët e TU-së e sidomos në kohën e fluksit (në kohën e mëngjesit dhe kohën pasdites) e që ne është dashur t’i dërgojmë dy autobusë për ofrimin e transportit për punëtorët e Pallatit të Drejtësisë” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Shkëputja e kontratës për bartje të punëtorëve, sipas Trafikut Urban, është në raport me marrëveshjen e vitit 2018 dhe paralajmërimit në tetor të vitit 2022.
“Shkëputja e kontratës është në raport me Nenin 7 të marrëveshjes së datës 24.08.2018, me numër të protokollit 1543/2018 dhe paralajmërimit të datë 27.10.2022”- thuhet tutje nga ndërmarrja komunale.
Lidhur me mundësinë e vënies në qarkullim prapë të ndonjë autobusi, Trafiku Urban theksoi se mund të negociohet marrëveshje me ardhjen e autobusëve të rinj.
“Ne mund ta negociojmë marrëveshjen me ardhjen e kontingjentit të autobusëve të rinj, mirëpo vetëm atëherë kur konstatohet se nuk zvogëlohet niveli i shërbimit në linjat e TU-së!”- u tha me tej nga kjo ndërmarrje.
Ndërmarrja Trafiku Urban ka në pronësi 51 autobusë që mbulojnë 7 linja, derisa pritet që në vitin 2023 të vijnë edhe 30 autobusë tjerë.
Qarkullimi nga qyteti deri tek Pallati i Drejtësisë në Hajvali mbulohet edhe nga linja 10.