Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Partia FJALA pretendon që nuk i janë procesuar votat e siguruara më 14 shkurt

Partia FJALA po pretendon që votat të cilat ka arritur t’i sigurojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit nuk i janë procesuar në web-faqen e KQZ-së, ndonëse sipas tyre të njëtjat figurojnë në formularin e komisionerëve të KQZ-së.

Kryetari i kësaj partie, Gëzim Kelmendi, ka thënë për KALLXO.com se dyshimet i ka vërejtur asamblisti i tyre në Skenderaj, pasi ata nuk kanë pasur komisionerë në vendvotime.

“Ajo çka është shqetësuese për neve është që votat të cilat figurojnë në formularin e komisionerëve të KQZ-së, të njëjtat vota nuk figurojnë në web-faqe të KQZ-së. Në vendvotimin në fshatin Rakinicë të Skenderajt 2129/b, figurojnë 24 vota të Fjalës të nënshkruara nga komisionerët por ato nuk figurojnë në web-faqe të KQZ-së, përkundrazi shkruan 0 vota”, ka thënë ai.

Kelmendi është shprehur se të gjitha partitë  i kanë votat e njëjta sa janë të raportuara përveç të partisë FJALA.

“Kjo është vetëm një nga dëshmitë të cilat kemi mundur t’i sigurojmë ngase s’kemi komisionerë. Këtë e kemi siguruar falë asamblistit tonë që e kemi në Skenderaj Berat Dajaku, i cili në fillim ka dyshuar ngase ai vetë ka votuar në atë vendvotim me familjen e tij dhe është është interesuar për ato vota dhe e ka parë që s’janë. Ky është dëmi më i madh që na kanë bërë neve si parti Fjala”, ka shtuar ai për KALLXO.com

Kelmendi tutje ka bërë të ditur se sot kanë dorëzuar ankesë në PZAP dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në KQZ dhe në PZAP dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga të cilat sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.