Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shëndetësia në Kosovë, mes mungesës së letrave higjienike dhe premtimeve për vaksinën anticovid

Përfaqësuesit e partive politike nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe FJALA shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale në #DebatPernime.

Në mesin e premtimeve pati të tilla si ndërtimi i spitaleve dhe adoptimi i atyre ekzistuese,  rritja e numrit të testimeve për COVID-19, ndryshimi i pushimit të lehonisë, jepja e shumave financiare për të infektuarit me COVID-19, rritje të transparencës dhe llogaridhënies, sigurimet shëndetësore, pajisjen e çdo familje me mjek.

Kandidati për deputet nga LDK-ja Hatim Baxhaku premtoi që deri në qershor rreth 50% e popullsisë do të vaksionohen me vaksinën anticovid.

“700 mijë doza janë donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, 600 mijë vaksina nga fondi i Qeverisë së Kosovës, plani për vaksinim është përgatitur dhe në qershor diku 50% e popullsisë do të jenë të vaksinuar” deklaroi Baxhaku.

Përveç kësaj ai premtoi reformë rrënjësore në shëndetësi, rritje të llogaridhënies dhe dhënien e përgjegjësisë, rritjen e disiplinës në punë e mjekëve dhe infermierëve, publikimin e  çmimeve të vaksinave, unfikimine vlerës për të infektuarit me COVID-19 deri në 500 euro, pajisjen me të gjitha baret esenciale.

“Unë kam dëgjuar nga zotëri Zemaj që deri në mars numri i testimeve deri në mars do të rritet deri në pesë mijë”, tha Baxhaku në DebatPernime.

Ndërsa për vdekjet nga COVID-19 Baxhaku tha se ka dyshime që ka kualifikime të vdekjeve nga COVID-19, kur nuk ka qenë COVID-19 shkaktar i vdekjes.

“Në listën e vdekjeve ka tre shkaqe, por shkaku kryesor është ai dytësor. Unë e di raste që ka vdekur prej gjakderdhjeve masive në tru, ulçerës dhe është vërtetuar që është nga COVID-19, por unë nuk besoj që kanë qenë nga COVID-19. Unë kam dyshime që ka kualifikime të vdekjeve nga COVID-19, kur nuk ka qenë COVID-19 shkaktar i vdekjeve”, tha Baxhaku.

Baxhaku tha se do ta bëjmë një listë esenciale, dinamike dhe të hapur me revidim të përditshëm dhe do të përpilohet një udhëzim administrativ që do të rregullojë prokurimin e barnave.

Ai deklaroi se kanë paraparë një pako bazike për shëndetin primar për të gjitha komunat, shërbimin shtëpiak te pacientët me sëmundje të rënda, për gratë shtatzëna, gratë lehone dhe fëmijët deri në 6 vjeç dhe se secili pacient do ta ketë mjekun e vet.

Ndërsa Shërbimin Universitar të Kosovës, ai tha se është themeluar gabim dhe se ka kompetenca të tepruara, ka marrë kompetenca të Ministrisë së Shëndetësisë. 

Sipas tij, duhet të ndryshohet ligji për shëndetësi dhe statusi i ShSKUK- së dhe duhet të pavarësohen klinikat dhe spitalet rajonale. Ndërsa për menaxhimin e  spitaleve ai tha se duhet të rritet numri i inspektorëve.

Kurse për pushimin e  lehonisë ai premtoi pagesë 9 muaj nga shteti dhe 3 muaj nga biznesi.

Kandidati për deputet, Gëzim Kelmendi nga partia FJALA, në mesin e premtimeve tha se gratë duhet të punojnë me orar të përgjysmuar dhe të paguhen për honorarin e plotë.

Ndërsa për pushimin e  lehonisë tha se gjashtë mujori i dytë i pushimit të lehonisë duhet të paguhet nga shteti.

“Pjesë e programit tonë pavarësisht a janë të martuara apo jo gratë, është që të punojnë vetëm 4 orë dhe të paguhen për 8 orë. Ndërsa sa i përket pagesës së pushimit të lehonisë është që 6 muaj të paguhen nga punëdhënësi dhe 6 muaj nga shteti”, ka thënë Kelmendi.

Përveç premtimeve Kelmendi shtroi kërkesa si ndërtimi i një spitali  sekondar që ta pakësonte fluksin në QKUK e mungesën e sigurimeve shendetësore dhe pagën për tërë jetën për familjet që humbin familjar në vendin e punës.

“Nëse do të kishte një spital të Prishtinës, spital sekondar, nuk do të kishte fluks në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës as të përcjellësve. Por problemet më të mëdha edhe ajo e hipertensionit, pacientët shkojnë në QKUK. Në QKMF nuk ka internista e të gjithë shkojnë në QKUK”, ka thënë Kelmendi.

 Ndërsa për vaksinimin ai tha se do ta marrin me hezitim për shkak të efekteve anësore që sipas tij i ka prodhuar vaksina nëpër disa vende të zhvilluara siç është Norvegjia.

Por, për shumën financiare për pacienët me COVID-19 ai ka thënë se asnjë shumë nuk është e përshtatshme për qytetarët përderisa nuk punohet në parandalimin e sëmundjes.

Sipas tij qytetari nuk duhet ta marr një ndihmë 50 euro por të marr shumë më shumë se aq.

Edhe Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se qytetarëve duhet të ju jepen nga 500 deri në 1000 euro pasi qytetarët shpenzojnë shumë në kurimin e sëmundjes COVID-19.

“Pacienti duhet të ketë qasje në listën esenciale të barnave jo 30 ditë, por 360 ditë. Nuk është zgjidhje as 300 as 400 as 500. Kjo kosto që po ju jepet është e vogël sepse ata harxhojnë më shumë, duhet të ju jepen 500 deri në 1000 euro sepse po harxhojnë aq”, ka deklaruar Dreshaj.

Në mesin e premtimeve ai tha se do të vaksinojnë rreth 70% të popullatës, do të lobojnë që të marrin vaksinën, do të publikojnë çmimet e  vaksinave dhe se do ta bëjnë Inspektoriatin më aktiv për të parë se kush po vaksionohet. 

Përvec këtyre ai premtoi futjen e sigurimeve shëndetësore edhe në sektorin publik edhe privat të cilat do i japin me koncesion, rritjen e numrit të testimeve për COVID-19 deri në pesë mijë në ditë,  rritjen e buxhetit për shëndetësi  sigurimet shëndetësore, sistemin informativ, ndryshimin dhe prokurimin e barnave, mbikqyrjen e spitaleve private përmes inspektoriatit, pushimi i lehonisë një vit i plotë dhe se njëri nga partnerët kanë të drejtë ta shfrytëzojnë pushimin me përkrahjen e shtetit.

“Për që ka shkelje, ka shkelje, në secilin tubim në secilin takim, madje edhe nëpër lokale ku jemi të përditshëm, ku po gjobitemi. Ka vend për Inspektoratin Shëndetësor dhe të fillojë me dënime qoftë individuale, qoftë partiake”, ka thënë Dreashaj në Debat Pernime.

Dreshaj premtoj krijimin e dy qendrave klinike universitare dhe avancimin e spitalit të Prizrenit dhe qendër klinike universitare do të jetë Spital i Prishtinës. 

“QKUK duhet ta ketë drejtorin e vet dhe buxhetin e vet. Duhet të ketë buxhet të veçantë për secilën klinikë. Drejtori i QKUK duhet të jetë prodekan brenda Fakultetit të Mjekësisë. Implementimi i modelit gjerman për zgjidhjen e problemit” deklaroi Dreshaj.

Ndërsa për pozitën e drejtorit të ShSKUK-së ai tha se për ta është inekzistent dhe se  duhet të ketë drejtor të ShSKUK-së por vetëm drejtor të QKUK-së. 

Dreshaj, në Debat Pernime, ka thënë se në rast se do të vërtetohet se ka pasur parregullsi në konkursin ku drejtor i ShSKUK-së është zgjedhur Valbon Krasniqi, një ish- kandidat për deputet nga LDK, ai konkurs do të anulohet.

“Është për të ardhur keq që nuk është lejuar juve me qenë pjesë dhe transparenca të jetë në nivelin e duhur. E keqja e dytë, me të njëjtin konkurs, me kritere të njëjta, njëherë dr. Valbon Krasniqi,  njëherë eliminohet e me kritere të njëjta ai rikthehet. Mendoj, që këtu ka shkelje të kritereve, qoftë në herën e parë qoftë në herën e dytë”, ka thënë Shemsedin Dreshaj.

Shemsedin Dreshaj ka thënë se gjatë menaxhimit të pandemisë COVID-19, personali shëndetësorë janë ballafaquar me shumë probleme.

Ai, në Debat Pernime, tha se personeli ka pasur mungesë edhe të gjërave elementare, siç janë mantili e dorezat.

“Shpesh kemi qenë të ballafaquar me mungesën për parandalim, s’kemi pas shpesh mantila, dorëza, është keq që të kenë përcjellës, për shkak se stafi profesional sepse ndryshe kujdeset vetë stafi e ndryshe përcjellësit”  ka deklaruar Dreshaj që njeherazi është edhe infektolog. 

Krahas të gjitha premtimeve për shnëdetësi të tre përfaqësuesit thanë se partitë politike të cilat po thyejnë masat parandaluese për përhapjen e pandemisë me tubime të fushtave zgjedhore duhet të gjobiten nga shteti.