Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lëvizja për  Drejtësi dhe Shyqri Bytyqi pjesë të PDK-së

Lëvizja për  Drejtësi përmes një konferencë për media ka njoftuar se do të jetë pjesë e listës së PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përveç Lëvizjes për  Drejtësi, në PDK ka hyrë edhe Shyqri Bytyqi i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Nismës Social Demokrate dhe Partisë Social Demokrate.

Kandidati i PDK-së, Enver Hoxhaj ka pasur fjalë të mira për Bytyqin duke e quajtur njërin nga ministrat më të suksesshëm të Kosovës.

“Shyqri Bytyqi aderon në Partinë Demokratike të Kosovës. Është një nga ministrat më të mirë që ka pasur Kosova. Është një prej ekonomistëve më të mirë. Është një zë i veçantë në fushën e ekonomisë. Është një njeri që i njeh shumë mirë politikat tatimore”, tha Hoxhaj.

Për bashkëpunimin me Lëvizjen për  Drejtësi, Hoxhaj tha se ky bashkëpunim do ta ndihmojë rimëkëmbjen e Kosovës.

“Sot po e nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi se si ta qeverisim shtetin bashkë me Sylejman Qerkezin dhe Lëvizja për Drejtësi. Do të kemi një bashkëpunim të mirëfillte që ta ndryshojmë Kosovën dhe të rimëkëmbin Kosovën”, tha Hoxhaj.

Ndërsa për Qerkezin, ky bashkëpunim është i natyrshëm.

“Sapo nënshkruam një marrëveshje të një udhëtimi të gjatë. Ky është një udhëtim që ka natyrshmëri në vetvete. Jemi dy subjekte të djathta që mbështetemi në vlera kombëtare, familjare e fetare”.