Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Parregullësitë e pretenduara nga Shukrije Rama dhe polemikat me RTK

Shukrije Rama, anëtarja e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës ka ngritur disa pretendime për shkelje brenda mediumit publik sot, 28 prill para deputetëve të Komisionit për Media.

Rama tha se konstatimet dhe gjetjet që ajo paraqet janë të bazuara në dokumente zyrtare të RTK-së, të cilat ajo i ka siguruar përmes rrugëve zyrtare.

Ajo po pretendon se drejtori i përgjithshëm i RTK-së, për pozitën udhëheqëse të cilën e mban, gjatë procesit të aplikimit, ka dorëzuar dëshmi të pasakta lidhur me përvojën menaxheriale të ërkuar sipas kritereve të konkursit dhe Nenit 6.1.2 të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të Lartë të RTK-së.

“Në CV-në e tij figuron se ka qenë Redaktor i Redaksisë së Dhomës së Lajmeve Ndërkombëtare 2015 – 2020, mirëpo sipas dëshmive të siguruara, gjegjësisht Kontratave të punës, Drejtori i Përgjithshëm para se të marrë detyrën e tij, ishte vetëm Redaktor i Edicionit në Programin e Lajmeve. Pra, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së asnjëherë nuk ka qenë Redaktor i Redaksisë së Dhomës së Lajmeve Ndërkombëtare, ashtu siç ka deklaruar në CV”- tha ajo.

Rama ka thënë se pozita e redaktorit të edicionit të programit të lajmave nuk është pozitë menaxheriale.

“Për të dëshmuar që ka qenë redaktor i redaksisë, ai ka dërguar dy dokumente që i ka nënshkruar si “redaktor” në vitin 2010, në kohën kur në CV të tij thotë që deri në fund të vitit 2010 ka qenë në Angli duke përfunduar magjistraturën e tij. Në fakt, Drejtori i Përgjithshëm posedon kontratë të redaktorit të redaksisë në periudhën 2010 – 2013, por në CV i figuron 2011- 2014, pasi që, sipas CV, deri në fund të vitit 2010, ka qenë në Angli. Thjesht duhet ta dimë: në vitin 2010 a ka qenë në Angli apo në Kosovë”- deklaroi ajo.

Për këtë, drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj u kundërpërgjigj se argumenetet e Ramës nuk qëndrojnë. Ai tha se ka dëshmi që pozita e redaktorit të edicionit të lajmeve ndërkombëtare ka qenë pozitë menaxheriale.

“Hera e parë në jetë po e dëgjoj “falsifikim të CV-së”. CV-ja nuk është dokumet zyrtar që lëshohet nga një institucion tjetër, është dokument i yti personal. Unë në asnjë moment nuk kam lëshu dokumente false. Këtu kam dokumente që dëshmojnë që unë kam qenë redakor i lajmeve ndërkombëtare pas kthimit nga Londra. Me të vërtëtë që unë kam studiu në Londër në vitet 2009-2010 po në vitin 2010 unë jam kthy në Kosovë. Kur jam kthy e kam vazhdu punën në RTK. Dhe kam bërë vlerësime të punës për stafin. Vlerëism të punës për stafin duhesh me qenë menaxher për me e bë”- tha ai.

Anëtarja Rama ka përmendur edhe çështjen e emërimit të Alban Fetahut, në pozitën e drejtorit të shërbimeve të përbahkëta.

Ajo tha se para se të votohet ky kandidat ka kërkuar kohë për të siguruar se ky person nuk ka konflikt interesi pasi që, sipas deklarimeve në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kandidati deklaron se ka marrë të hyra në pagë në vlerë prej 3 mijë euro si këshilltar ministër në MPJD në periudhën shtator 2021 – maj 2022.

Anëtarja Rama thotë se emërimi i Fetahut është në kundërshtim me nenin 31 të ligjit të RTK-së.

Ahmetxhekaj për këtë gjatë mbledhjes ka thënë se pak ditë para kësaj mbledhje të komisionit ka marrë njoftim zyrtar nga Agjencia Kundër Korrupsion që emërimi i Fetahut nuk paraqet konflikt interesi.

Anëtarja e Bordit të RTK-së, Shukrije Rama tha se kontratat e negociouara me “Reuters” për lajme ndërkombëtare dhe “Kontrata për mirëmbajtje të aplikacioneve softuerike” mund të përbëjnë shkelje të ligjit të prokurorimit.

“Drejtori i Përgjithshëm përmes procedurës se negociuar të prokurimit, ka lidhë kontratë me Reuters në vlerën 171,540 euro. Domethënë në vend se të kursehet buxheti i RTK-së duke i siguruar disa oferta, kjo kontratë i jepet në proces të negociuar Reuters-it. Në vendin tonë ekzistojnë disa agjenci të lajmeve po aq serioze, të njohura dhe konkurrente që ofrojnë lajme ndërkombëtare e ato janë AP (The Associated Press-AP), AFP (Agence France-Presse)”- ka deklaruar ajo.

“Edhe për mirëmbajtjen e sistemeve softuerike, menaxhmenti i RTK-së ka vazhduar me procedurë të negociuar me një kompani duke ia dhënë kontratën 29,990 euro. Duke ditur që Kosova ka shumë kompani softuerike e jo një, unë si anëtare e bordit, nuk e di pse ne si RTK kemi nevojë të kemi procedurë të negociuar për softuer. Andaj, si pasojë, kjo mund të përbeëjë shkelje të Ligjit të Prokurimit”- pretendon Rama.

Rama ka pretenduar se drejtori i përgjithshëm ka bërë favorizime të pabazuara dhe të padrejta, duke i quajtur si grupacione të drejtorit të përgjithshëm.

Ajo ka thënë se Ahmetxhekaj ka emëruar Arsim Halilin në pozitën e Ndihmësdrejtorit të Përgjithshëm për RTK2, pozitë e cila, sipas saj, nuk ekziston fare as në rregullativën e brendshme të RTK-së.

Ahmetxhekaj e kishte caktuar Halilin në këtë pozitë pasi që Halili kishte dështuar të përzgjidhet zv/drejtor i RTK-së me konkurs. Bordi i kaluar i RTK-së ishte shkarkuar, mes tjerash, edhepse kishte caktuar njerëz në pozita fiktive vetëm për të marrë rrogë të lartë në RTK. 

Rama tha se paga e caktuar për Halilin është ndër pagat më të larta në RTK.

“Për këtë veprim të tij të kundërligjshëm, madje Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, nuk e ka informuar as Bordin e RTK-së. Përveç caktimit të një vendi inekzistent pune, për çështje favoresh për shkak të miqësisë reciproke, për më tepër Drejtori i Përgjithshëm e bën edhe shkeljen e radhës duke ia caktuar të përmendurit nivelin e pagës në mënyrë paushalle (1404 euro në muaj), që do të thotë rrjedhimisht të pabazuar në rregullore sepse pozita siç u tha më sipër është inekzistent. Kjo është ndër pagat e 10 më të paguarve në RTK”- ka thënë ajo.

 Drejtori Ahmetxhekaj u kundërpërgjigj se për këtë organogrami parasheh një pozitë të tillë.

“…është fatkeqësi se si zonja Rama nuk e njeh organogramin e RTK-së aty shumë qartë është pozita e ndihmësdrejtorit të përgjithshëm për RTK2. Organogrami në fuqi i RTK-së është i tillë. Nuk kam përcaktu pagë, paga është e përcaktume më katalogun e vendeve të punës”- tha ai.

Anëtarja e Bordit të RTK-së pretendon se gjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 2022, Drejtori i Përgjithshëm, në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Avancime në RTK, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Udhëzimit Administrativ 07/2017, ka avancuar në pozita të caktuara punuese 4 (katër) udhëheqës të departamenteve në RTK.

“Të gjitha këto avancime janë konstatuar të paligjshme nga Inspektorati i Punës i cili ka urdhëruar edhe shfuqizimin e të gjitha emërimeve. Përkundër që shfuqizimet e vendimeve për emërim janë bërë në muajin gusht 2022, të gjithë të emëruarit janë caktuar ushtrues detyre, dhe deri sot asnjë nga këto pozita nuk është plotësuar përmes konkursit publik, ashtu siç ka udhëzuar Inspektorati i Punës”- ka thënë ajo.

Kjo temë është përmendur gjatë raportimit sot. Ahmetxhekaj tha se nuk ka pasur avancime kanë qenë vetëm dy të tilla.

Rama ka përmendur rastin e dhënies së pushimit një vjeçar një punonjësi të RTK-së që të shkojë të punojë për qeveri.

“Një punonjësi, me pozitë redaktoriale në RTK, sipas Ramës pa bazë ligjore dhe nënligjore, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm, i është mundësuar angazhimi në kabinetin qeveritar, përmes pushimit pa pagesë”, tha ajo. Ajo nuk ka përmendur emra.

Për këtë ka reaguar Ahmetxhekaj i cili tha se është pjesë e marrëveshjes koletive lejimi i pushimit pa pagesë për punëtorë.

“Sa i përket pushimit pa pagesë. Ne kemi në fuqi një marrëveshje kolektive. Ajo marrëveshje kolektive e mundëson pushimin pa pagesë. Kërkesën zyrtare që e kam marrë nga zotëri Gjergji (Filipaj) ka qenë që ai nuk ka tregu që po shkon me punu në minsitri apo diku tjetër edhe nuk është punëtor i Minstrisë është projekt tjetër. Në momentin që dikush edhe në kohën e pushimit pa pagesë nëse merr ndonjë pozitë politike kur kthehet në RTK nuk kthehet në pozitë të tillë por unë kisha bë shkelje nëse nuk ia mundësoj pushimin pa pagesë”- tha Ahmetxhekaj.

Parimi i lejimit të pushimit pa pagesë nënkupton pushim për shkollim apo sëmundje, jo për të punuar në vend tjetër pune aq më pak për qeveri e pastaj të kthehet në punë punonjësi si gazetar “i pavarur”. 

Rama ka përmenur gjobat ndaj RTK-së nga Inspektorati i Punës.

Ajo tha se për shkak të vendimeve të jashtëligjshme, vetëm brenda dy jave, Inspektorati i Punës ka shqiptuar dy gjoba për vendime të jashtëligjshme një në vlerë 4 mijë e 900 euro dhe tjetra 3 mijë euro.

Ajo ka ngritur edhe rastin e degradimit të Fadil Hoxhës kryesindikalistit të RTK-së.

“Rasti më aktual është ai i degradimit të Kryesindikalistit prej pesë shkallësh për natyrë hakmarrëse. Pavarësisht kësaj, Inspektorati i Punës, në janar të vitit 2023 vendos që RTK ka shkelur procedurat e parapara me Ligjin e Punës dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së dhe e ka gjobitur RTK-në me 3000 euro”- deklaroi Rama.

Pas fjalës së Ramës në mbledhjen e Komisionit, kryetari i Komisonit, Valon Ramadani ka thënë se nuk është kompetencë e tyre që të hyjnë në interpelancë me drejtorin e RTK-së.

Ai fillimisht hezitoi t’i jap fjalën Ahmetxhekajt për pretendimet e Ramës.

“Nuk është kompetencë e jonja nëse ne hyjmë në interpelancë me drejtorin. Nuk është hera e parë që anëtarja e bordit ka mendim ndryshe. Ka pas edhe raste të tjera, ne e kuptuam prej kryetarit të bordit për masat. Për Fetahun e kuptuam që ka një opionin prej AKK-së. Unë e kam prej zyrës kordinuese ky është alarmi ku ti nuk mundesh me shku më tutje ”- tha Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për media.

“Ne nuk jena komision hetimor. Pajtohem me atë që duhet të merren organet e drejtësisë më të gjitha pretendimet. Të gjitha faktet që ju mund t’i keni edhe ne mund t’i kemi por t’i drejtojmë diku tjetër. Nuk është puna me ja nal fjalën drejtorit”-  deklaroi Ramadani, kryesues i Komisionit.

Ndërkaq deputetët e tjerë si: Agim Veliu, Besim Muzaqi dhe Besnik Tahiri, kërkuan që t`i lejohet fjala Ahmetxhekajt i cili deri në atë moment ishte lejuar t’i adresojë komentet e deputetëve.

“Ne nuk guxojmë të kem standarte të dyfishta është tepër me rëndësi që këto tema me i trajtu, ne duhet me e ditë pjesën që realisht do të duhej me e ndëgju”- tha Besnik Tahiri.

“Pretendimet që i ngriti anëtarja, komisioni duhet me gjet formë që ne t’i ballafaqojmë. Ajo tha se i ka të bazuara në dokumente dhe të faktuara. Do të ishte mirë që ajo të mos mbesin mjegull. Nëse thua që bordi ka ra në lajthitje për shkak të dokumentacionit të drejtorit, nuk do të ishte mirë që kjo të mbetej pa u sqaruar. U përmenden avancime që nuk përmenden në organogram. Një tjetër fakt që u përmend (ishte) pushimi pa pagesë, do të thotë do të ishte mirë të sqarohej. Do të ishte mirë të gjendet formë. Nuk po them që janë të vërtëta apo të pavërtëta”- tha  Agim Aliu nga LDK.

“Sot çka dëgjuam mendoj që janë pretendime të saja legjitime që i ka adresu në bord. Nëse bordi nuk ka gjetur formë t’i trajtoj, vendi i duhur do të ishte organet kompetente të drejtësisë. Nuk mendoj që në këtë mbledhje do të duhej t’i bëhej gjyqi publik drejtorit të këtë rast. Do të ishte mirë që ta dëgjonte publiku për hirë të korrektësisë, se edhe ai ka integritet”- tha Besim Muzaqi nga  LVV.

Kontratat një burimore në RTK