Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dështon edhe konkursi i dytë për pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së, Arsim Halili nuk i merr votat e mjaftueshme

Me 2 vota për dhe 7 kundër të bordit të RTK-së Arsim Halili nuk ka arritur të emërohet zëvendësdrejtor i përgjithshëm i televizionit publik.

Arsim Halili ishte emri i cili u propozua nga komisioni vlerësues për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Para hapjes së konkursit për këtë pozitë, Arsim Halili ka qenë ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të RTK-së për 6 muaj.

Në takimin e sotëm të bordit udhëheqës, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, propozoi Arsim Halilin për këtë pozitë, duke iu referuar përzgjedhjes së komisionit vlerësues.

“Bazuar në rregullore kam themeluar komisionin për përzgjedhje të zv.drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Komisioni prej 5 vetave ka mbajtur intervistimin dhe ka konstatuar se Arsim Halili ka marrë më së shumti pikë. Besoj se puna 6-mujore si ushtrues detyre e z. Halili, e konfirmon se ai e meriton të jetë në pozitën e zv.drejtorit” – tha Shkumbin Ahmetxhekaj.

Bordi i RTK-së, i kryesuar nga Besnik Boletini dhe i përbërë nga Arta Berisha, Safet Kabashaj, Fatime Lumi- Qehaja, Driton Hetemi, Albulena Mehmeti, Biroll Urcan, Shukrije Rama dhe Ivan Raduloviq, votoi kundër emërimit të Arsim Halilit.

Pro Halilit ishin vetëm dy anëtarë të bordit: Ivan Raduloviq dhe Safet Kabashaj.

Gjatë takimit të bordit, anëtarët nuk dhanë asnjë arsyetim rreth votimit të tyre.

Për këtë pozitë konkurruan edhe Rilind Gërvalla, Naser Thaçi, Adriana Kabashi, Faton Mehmetaj dhe Artan Cërrnaveri.

Konkursi i parë për zëvendësdrejtor u shpall para disa javëve por dështoi. Edhe konkursi për drejtor të përgjithshëm u anulua një herë dhe u rishpall për shkak se monitorimi i BIRN konstatoi shkelje, por RTK zyrtarisht tha që u anulua për shkak të paqartësive ligjore.

Posti për zëvendësdrejtor të RTK-së është hapur saktë pas 6 muajve pasi që Arsim Halilit, që momentalisht e ushtron detyrën e zv.drejtorit të përgjithshëm, i ka kaluar afati për të vazhduar si u.d. zëvendësdrejtor.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për KALLXO.com që është duke bërë hetime fillestare lidhur me shkeljet e raportuara në trajtimin gjyqësor të rastit të Arsim Halilit në të cilin janë të përfshirë gazetarë të RTK-së dhe një gjykatëse.

Për shkak të profilit të lartë të personave të përfshirë në këtë hetim fillestar, me këtë rast po merret Prokuroria Speciale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Agjencia Kundër Korrupcionit që kishte qenë duke e trajtuar raportimin për konflikt interesi që e përfshinte Halilin dhe Shkumbin Ahmetxhekajn.

Fillimisht, Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së në vitin 2016 kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook.

Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.