Paralajmërohet protestë me autobusë para qeverisë

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve tha se edhe nesër do të ketë grevë të kompanive të autobusëve, ndërsa nga e premtja do të vazhdojnë me protestë.

“Ne kemi paralajmëruar mbledhje për të parë nga afër se si ka shkuar rrjedha e grevës. Sapo përfunduam mbledhjen dhe sapo u morë vendim që masat e ndërmarra deri tash të grevës nga dita e premte do të ndryshojnë. Nga e premtja autobusët do të dalin në Prishtinë para qeverisë”, tha ai.

Kurtishaj tha se në bazë të reflektimit të Qeverisë do të merren edhe vendimet e tyre të ardhshme.

“Në gjitha qendrat e Kosovës ka unitet për të vazhduar edhe më tutje deri në realizimin final të marrëveshjes”, tha Kurtishaj.

Kurtishaj tha se u kërkojnë falje qytetarëve të cilëve i’u është ndërprerë transporti.

KALLXO.com ka raportuar sot se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kompanitë e autobusëve që t’i kthehen punës së tyre.

“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga zyra e kryeministrit.

Sipas zyrës së kryeministrit në kuadër të masave për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) për vitin 2021, në vlerë prej 222.4 milionë euro, janë të përcaktuara ndarjet buxhetore për secilën nga masat, përfshirë këtu edhe modalitetet e zbatimit të masave..

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (p.sh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% e qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet tutje në komunikatë.

Qeveria ka sqaruar më tej se ‘pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset’.

Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë vendin për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.

Hoti kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve që ta ndalin grevën