Malisheva

Pandemia, Kuvendi i Malishevës merr vendime për të mbështetur qytetarët, organizatat e institucionet

Kuvendi Komunal i Malishevës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime për të ndihmuar qytetarët, punonjësit, organizatat dhe institucionet për tejkaluar sa më lehtë pandeminë.

Vendimet të cilat janë marrë prekin fusha të ndryshme si shëndetësia, arsimit, sporti e kultura.

Kështu bëri të ditur në profilin e tij në Facebook asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi.

“Është marrë vendim për furnizim dhe ndarje të pakove ushqimore dhe higjienike për fëmijët e moshës 0-3 vjeç të familjeve në asistencë sociale si dhe furnizimi dhe shpërndarja e maskave shumë përdorimëshe dhe dezinfektuesve për familjet në asistencë sociale. Vlera 20,000 euro”, ka shkruar Krasniqi.

Kuvendi Komunal po ashtu ka marrë vendim që të furnizojë me tablete familjet në asistencë sociale dhe të familjeve me nëna vetushqyese që kanë fëmijë nxënës  prej klasës së parë deri te klasa e-tetë si dhe sigurimi i rrjetit të internetit për këto familje deri në përfundimin e vitit shkollor 2020-2021.

Të gjitha këto sipas njoftimit do të kushtojnë 30 mijë euro.

Edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore është paraparë angazhim i stafit shtesë dhe janë ndarë medikamente falas për të prekurit.

“Furnizimi dhe ndarja falas e medikamenteve të nevojshme për terapi për rastet e infektuara me COVID-19. Vlera 50,000. Angazhimi i përkohshëm prej gjashtë muajsh i stafit shtesës në QKMF: 1 Radiolog, 1 Pulmolog dhe 5 mjekë të përgjithshëm dhe 5 teknikë mjekësor. Përzgjedhja e tyre duhet të bëhet përmes konkursit publik sipas procedurave të thjeshtësuara për rastet me kontratë për shërbime të veçanta (kontrata në vepër). Vlera 35,000 euro”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa për të lehtësuar mësimin online, në Malishevë do të krijohet një qendër komunikimi në ambientet e ndërtesës së Muzeut të Qytetit për ndihmë studentëve të komunës së Malishevës, të cilët i ndjekin ligjëratat online.

“Kjo qendër të pajiset me inventar dhe teknologji informative: 4 kompjuterë, 1 aparat fotokopjues, për skanim dhe shtypje, 10 tavolina dhe 10 karrige dhe material i nevojshëm administrativ. Vlera 10,000 euro”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit, janë ndarë mjetet për shujta për vitet 2018, 2019, 2020 për punëtorët e administratës komunale dhe zjarrfikësve në përmbushje të obligimeve të kontratës kolektive

Për klubin e futbollit FC Malisheva janë ndarë 50,000 euro.

Edhe bordit të Stacionit të Autobusëve iu ndanë 9,600 euro në emër të mbulimit të shpenzimeve dhe masave mbështetëse ndaj pandemisë COVID 19.

Po ashtu në këtë mbledhje është anuluar një vendim i Drejtorisë së Kulturës.

“U anulua vendimi i Drejtorisë së Kulturës që ndalonte aktivitetet sportive në stadiumin e qytetit dhe u autorizua Drejtoria e Kulturës që së bashku me klubet dhe shkollat sportive të hartojnë një orar të përshtatshëm për të gjithë, duke i dhënë prioritet aktiviteteve të FC Malisheva”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.