Foto: Kallxo.com

Pandemia i lë mërgimtarët pa dasma

Ndryshe nga vitet tjera, këtë vit fluksi i mërgimtarëve në kufijtë e Kosovës do të jetë i paktë. Situata pandemike përpos që ka pamundësuar pushimin e diasporës në vendin e tyre, i ka larguar ata edhe nga atmosfera e dasmave të organizuara në sezonën verore.

Sipas tyre përhapja masive e coronavirusit i ka bërë që t’i harrojnë dasmat dhe se dëshira e vetme është që të vijnë në Kosovë dhe t’i takojnë “shëndoshë e mirë” më të dashurit e tyre.

22 korriku duhet të ishte data kur  F. Shala  dhe  A. Regjepi me banim në Zvicër do të martoheshin në  restorantin “Grande Antika”  të Pejës, nën muzikën e këngëtarit Gëzim Hajdini nga Podujeva. Organizimet për procedurat e dasmës veç se kishin filluar një vit më parë, por të gjitha u shtyen. Pamundësia  për të ardhur në Kosovë, i ka bërë ata që ta anulojnë datën e rëndësishme të lidhjes së tyre.

Rezervimet e biletave dështuan, organizimet e dasmës për datën e caktuar u anuluan, dhe pushimi i tyre veror u shty për një datë të pacaktuar.

Nëna  e 29 vjeçarit F. Shala, Mervete Shala nga Treboviqi i Pejës, që tash e shumë vite jeton në Lucern të Zvicrës nuk merakoset për anulimin e dasmës së djalit. Edhe pse ka rezervuar restaurantin, DJ, kamerat e fotografin, ftesat e biletat e udhëtimit Mervetja problemin e vetëm e ka tejkalimin e gjendjes pandemike pa pasoja. Sipas saj, rëndësi të vetme ka lumturia e çiftit dhe rikthimi në realitet dhe se për të tjerat nuk ka rëndësi.

“E kemi shtyer për një vit më vonë  nëse është situata mirë, nëse jo e anulojmë krejt. Djali e nusja janë mërzit pak, a ne prindërit jo. Kryesorja shëndeti dhe lumturia e fëmijëve tanë”, tha Shala.

Ajo tha se kjo pandemi e ka mërzitur tejmase, se nuk po kanë mundësi të vijnë në Kosovë të kalojnë sezonën verore së bashku me pjesën tjetër të familjes. Por, ajo tha se dasmat nuk do i mungojnë, se i gjithë pushimi po ju shkon nëpër dasma.

Njëjtë si Shala, edhe Liridona M. nga Vushtrria, e cila ka shtatë vite që jeton në Frankfurt të Gjermanisë, përpos prindërve që nuk i ka parë afër një vit, do i mungojnë rrugët e Kosovës të mbushura përplot me njerëz, dhe atmosfera e dasmave.

“Do të më mungoj shumë atmosfera, se askund në botë nuk mundet me u kënaq një mërgimtar më shumë se në vendin e vet”, tha ajo.

Sipas saj ndalimi i mbajtjes së dasmave është veprim i duhur sepse prej këtyre masave po varet shëndeti. Por në  anën tjetër ajo këtë situatë e sheh si një humbje të madhe për shumë biznese në Kosovë.

Ajo tha që shumicës së diasporës do i mungojnë dasmat, edhe pse një përqindje e vogël nuk i preferojnë, sepse sipas saj të gjitha ditët e pushimit po i shpenzojnë duke shkuar në ahengje.

Ndryshe nga Liridona e cila Kosovën e viziton dy herë gjatë vitit, Mervetja së bashku me familjen në Kosovë vijnë gjashtë deri shtatë herë në vit. Por, për shkak të pandemisë këtë vit rezervimi i biletave për muajt prill, maj dhe javën e fundit të qershorit i kanë dështuar. Me mërzi rrëfeu ndjenjën e mosardhjes në vendin e saj, ashtu siç ka ardhur çdo vit.

“Unë vijë shumë herë në vit, po më vjen të qaj se kam pas në prill me ardhë, edhe në maj edhe javën që shkoj, por nuk kam mundur se  gjashtë deri shtatë herë në vit vij” tha Shala.

Sipas saj, parat që i ka dhënë si depozitë për restaurant, grim, muzikë nuk do i humbasin se iu është dhënë mundësia që kurdo që ndodh dasma ato para të vlejnë. Por ajo tha që edhe nuk i kthejnë paratë, nuk është problem se as bizneset nuk kanë si të fitojnë në këtë gjendje.

Bujë e madhe për mbajtjen e dasmave në këtë verë u bë nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe këngëtari, Labinot Tahiri.

Të hënën një pjesë e estradës dhe pronarëve të restoranteve iu bashkuan thirrjes së Tahirit për protestë para Qeverisë. Ata vendosën një manual për mbajtjen e dasmave në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë Hoti.

Sipas pretendimeve të ish-deputetit ,ky virus është “rrenë’ dhe nëse dikush nga protestuesit do infektohet me virus ai vet do të shkoj në burg.

Në një deklaratë ai kishte thënë se të  se nëse merret vendimi për ndalimin e dasmave do të pësojnë shumë persona dhe familje pasi burim i të ardhurave të tyre janë pikërisht dasmat. Ndërsa, këngëtari Afrim Muçiqi gjatë protestës për lejimin e dasmave kishte thënë që nëse nuk vendoset nga Qeveria që të mbahen dasmat në restorante, ata do i mbajnë në sheshe ose livadhe.

Qeveria e kaluar Kurti gjatë qeverisjes së saj kishte ndaluar hapjen e klubeve të natës dhe organizmin e dasmave si masë parandaluese. Ndërsa, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, kishte publikuar  një urdhëresë ku ndalohet mbajtja  e ahengjeve në salla dasmash apo objekte tjera të ngjashme.

Ende nuk ka ndonjë vendim për mbajtjen e dasmave, si masë parandaluese  ndaj përhapjes së COVID-19.