Pamje - Ushtria shqiptare teston mitralozët në luftë ujore

Për dy ditë më radhë efektivë të Forcës Detare në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, zhvilluan në bregdetin e Shqipërisë stërvitjen “GRUPEX-22”.

Në stërvitjen ‘Grupex-22’ dhe qitjet bregdetare morën pjesë 11 anije të Flotiljes Detare, 3 anije të klasit “ARCH ANGEL” si edhe Grupi i Bordingut. Stërvitja dhe qitjet bregdetare u zhvilluan në përputhje me dokumentet stërvitore si dhe ato të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, i pranishëm në nisje të kësaj stërvitjeje e cilësoi të rëndësishme atë, pasi sipas tij, veçanërisht në këtë moment të rritjes së standardeve të Forcave të Armatosura.

Ndërsa, komandanti i Forcës Detare, kundëradmiral Adnand Agastra shpjegoi qëllimet e kësaj stërvitjeje.

“Pas kësaj stërvitjeje, anijet do të shpërndahen në të gjithë bregdetin shqiptar; nga Shëngjini deri në Sarandë, në të gjitha portet e hapura, por edhe bazat e Forcës Detare me qëllim që t’i përgjigjemi situatave të sezonit për shkak të rritjes së fluksit, të turistëve, të përdorimit edhe të paligjshëm të detit. Anijet do të jenë me kohë në rajon për t’ju përgjigjur të gjitha situatave”, u shpreh Kundëradmiral Agastra.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo stërvitje kishte si synim vlerësimin dhe certifikimin e grupeve të anijeve patrulluese si njësi zbatuese, testimin e aftësive organizative dhe komanduese të komandantëve të grupeve, planëzimin e Shtabit të Flotiljes Detare si dhe kryerjen e qitjeve me armatimin e anijeve.

.