Pacolli thotë se do ta shpërblej qytetarin që ndihmoi në arrestimin e Dardan Krivaqës

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka premtuar që do të shpërblej atë person që do të japë informacione Policisë së Kosovës për kapjen e të dyshuarit në rastin e 18 vjeçares në Ferizaj.

Dardan Krivaqa u arrestuar sot nga Policia e Kosovës gjatë ditës në afërsi të fshatit Sojevë të Ferizajt.

Këshilltari i Pacollit, Naim Murseli njoftoj se tani janë në kontakt me një person, që sipas tij ka ndihmuar në arrestimin e të kërkuarit.

“Sot, një shpërblim iu premtua personit që e çon Policinë e Kosovës në arrestimin e vrasësit të Marigonës nga z. Behgjet Pacolli. Tani mund të konfirmojmë se jemi në kontakt me atë person, dhe që shpërblimi do t’i paguhet atij”, shkruan Murseli në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij guximi civil është i rëndësishëm dhe duhet stimuluar më shumë.

Ndryshe, Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj është arrestuar gjatë ditës së sotme.

I dyshuari Krivaqa ishte në arrati që nga dita e diel, pasi i njëjti bashkë me të dyshuarin tjetër A. S. e kishin dërguar në spitalin e Ferizajt 18 vjeçaren M.O. pa shenja jete.

Ndërsa i dyshuari tjetër A. S. është sjellë sot në Gjykatën e Ferizajt, ku pritet të caktohet masa e sigurisë ndaj tij sipas kërkesës së Prokurorisë.