Dardan Krivaqa dhe Dardan Sejdiu të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Vrasja e Marigona Osmanit, konfirmohet aktakuza ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Gjykata e Ferizajt ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Ferizajt, Gentiana Hoxha.

“Gjykata ka mbajtur gjykimin fillestar lidhur me të pandehurit, në shqyrtimin fillestar kanë pasur të drejtë në kundërshtime të provave në afat prej 30 ditësh. Gjyqtari më 2 shtator ka vendosur lidhur me kërkesën për hedhjen e aktakuzës që e kanë bërë mbrojtësit e të pandehurve”- ka thënë Hoxha.

Seanca fillestare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, është mbajtur në Gjykatën e Ferizajt më 14 korrik 2022.

Të akuzuarit në këtë seancë nuk kanë pranuar fajësinë, ndërsa në afat prej 30 ditësh mbrojtësi i Arbër Sejdiut më 11 gusht 2022 ka paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura në aktakuzë.

Më 22 gusht 2021 ishte njoftuar se një 18-vjeçare ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt. Bëhej fjalë për Marigona Osmanin. Të dyshuar për këtë vrasjes janë Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Në aktakuzën e Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaqa, ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi, e më pas vrasja e 18-vjeçares.