Osmani viziton Zveçanin, Leposaviçin e Zubin Potokun, dhuron laptopë për mësim online

Kryetarja e Kuvendit,  Vjosa Osmani vizitoi sot disa fshatra të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot fshatrat Zhazhë, Boletin e Kelmend të Komunës së Zveçanit, Koshtovë e Vllahisë e Bistricë të Komunës së Leposaviqit, si dhe fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Sipas një njoftimi për media, në funksion të lehtësimit të procesit të mësimit online, në emër të Kuvendit të Kosovës, Osmani u ka dhuruar 30 kompjuterë nxënësve të shkollave “Isa Boletini”, “Kadri Bistrica” dhe  “Osman  Rama”.

Osmani qasjen në arsim e ka konsideruar çështje jetike dhe ka thënë se secili nxënës i Kosovës duhet të ketë qasje në mësimin online.

Me këtë donacion të Kuvendit të Kosovës prej 30 kompjuterësh, Osmani ka thënë se do t`u ndihmojë nxënësve të kësaj ane t`i qasen mësimit online.

“Kjo përveç se ndihmë për nxënësit është edhe tregues se institucioni i shtëpisë përfaqësuese të qytetarëve, pra Kuvendi i Kosovës mendon edhe për banorët e kësaj pjese të Kosovës, duke i mbështetur ata edhe në këtë mënyrë”, është shprehur zonja Osmani në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni. ​

Mësim online në Kosovë është duke mbajtur të gjitha nivelet e arsimit, ku për nivelin 1-9 MAShTI ka përgatitur video-ligjërata që janë duke u transmetuar në RTK. KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Kurse, shkollat e mesme dhe fakultetet janë duke mbajtur mësim online sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.Deri tek mbyllja e instituticioneve të arsimit erdhi për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.