
Osmani takon ish-sekretarin John Kerry, flasin për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim me ish-sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tashmë të Dërguarin e Posaçëm Presidencial për çështje klimatike, John Kerry.
Osmani dhe Kerry kanë diskutuar në lidhje me zhvillimet në Evropë pas sulmit rus në Ukrainë duke theksuar rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se presidentja Osmani e ka përmendur nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.