Osmani: Republika Dominikane, aleat i rëndësishëm i Kosovës

Gjatë vizitës zyrtare në Kosta Rikë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka takuar homologun e saj nga Republika Dominikane dhe janë pajtuar që ta avancojnë partneritetin ndërshtetëror tutje.

Sipas një njoftimi për media, në takim me Presidentin Abinader, Osmani ka theksuar se Republika Dominikane mbetet aleat i rëndësishëm i Kosovës në Amerikën Latine.

Ndër të tjerash, në takim u diskutua për raportet miqësore në mes të vendeve tona dhe mundësitë më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë, turizmin si dhe fusha të tjera.

“Forcimi i pozitës ndërkombëtare është një prej shtyllave kryesore strategjike të politikës sonë shtetërore, prandaj jam e lumtur që me Presidentin Abinader u dakorduam për ta avancuar partneritetin tonë diplomatik duke i afruar kështu edhe më shumë dy vendet tona”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sot, presidentja Osmani u takua edhe me Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden.

Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku sipas Presidencës, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.

Gjatë vizitës në San José, Presidentja do t’i takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera.