Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin e Paqes për Ukrainën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd, ka udhëtuar për në Zvicër dhe aty do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën.

Presidenca ka bërë të ditur përmes një njoftimi se në këtë samit, i cili do të mbahet më 15 dhe 16.06.2024 në Bürgenstock, afër Lucernit, presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Presidentes së Zvicrës, Viola Amherd, si dhe afër 100 liderëve e përfaqësuesve të tjerë nga e mbarë bota.

Sipas njoftimit, samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botërorë për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

“Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme”- thuhet në noftim.

Po sipas njoftimit përgjatë qëndrimit në Zvicër, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botërorë.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë nisi më 24.02.2022 dhe që prej atëherë mijëra njerëz kanë humbur jetën e miliona të tjerë kanë lëshuar vendin.