Osmani për Kurtin: Nganjëherë nuk pajtohemi me javë të tëra por e arrijmë pastaj një pajtim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë e ftuar në emsionin “TOP STORY” në Top Channel.

Gjatë intervistës ajo është pyetur edhe për harmoninë e saj me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Për këtë Osmani është përgjigjur duke thënë se nuk kanë konflikte ani pse ka nuanca.

“Nuk them që kemi konflikte. Ka nuanca, është krejtësisht normale që ka nuanca për tema të ndryshme nga temat e brendshme deri te temat e diskutimeve, bashkërendimeve me aleatët. Mirëpo qëllimet i kemi të njëjta” – është përgjigjur Osmani.

“Edhe rreth temave të brendshme sidomos sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit që është parakusht i suksesit të Kosovës për çdo temë tjetër por edhe për synimet që i kemi për integrimin euroatlantik të vendit, po nuancat janë krejtësisht normale” – ka shtuar ajo.

Megjithatë, Osmani ka theksuar se ka raste kur mes saj dhe shefit të ekezekutivit të Kosovës ka debate të gjata dhe mospajtime për javë të tëra.

“Ka nuanca, kemi debate të gjata, nganjëherë nuk pajtohemi me javë të tëra në këto debate por e arrijmë pastaj një pajtim… ne komunikojmë, nuk e ndërprejmë komunikimin në asjë moment edhe kur kemi mospajtime të mëdha”.

Në lidhje me këtë Osmani tha se pavarësisht që ajo dhe Kurti nuk i kursejnë kritikat ndaj njëri tjetrit, ajo u shpreh që beson që formula e arritjes së pajtimit mes tyre është edhe fakti që e respektojnë shumë mendësinë e njëri-tjetrit dhe se besojnë në qëllimet e përbashkëta që sipas Osmanit, i kanë ajo dhe Kurti.