Osmani: Në Washington pala kosovare s'duhet të pranojë që Ujmani e Trepça të bëhen tema negociatash

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paraparë plotësimin e katër mungesave të procesit të dialogut për të arritur sukses dhe unitet në dialog.

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e diasporës shqiptare në SHBA, Osmani tha se katër mungesat janë: mungesa e legjitimitetit, e platformës, transparencës dhe e mandatit për negocim nga Kuvendi për Qeverinë aktuale.

“Në bashkëbisedim me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA, sot kam potencuar se suksesi i Kosovës në dialog dhe uniteti rreth dakordimeve që dalin nga dialogu, është i mundur vetëm nëse plotësohen katër mungesa, të cilat aktualisht i ka ky process”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj, uniteti  që nevojitet nuk është bashkimi rreth agjendave jotransparente e jolegjitime të përfaqësuesve aktualë të Kosovës por  uniteti në kundërshtimin e agjendave të tilla, sikurse kundërshtimi i agjendës së ndryshimit të kufijve dhe të bosnjëzimit të Kosovës.

Kryeparlamentarja rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e sheh si të pazëvendësueshëm dhe  bashkëpunimin transatlantik të domosdoshëm  për ta arritur marrëveshjen finale për njohje reciproke, në kufijtë aktualë dhe me funksionalitet të plotë të brendshëm të Kosovës.

“Poashtu kam potencuar se në qoftë se në Washington do të diskutohen tema ekonomike, pala kosovare assesi nuk do të duhej të pranonte tendencën e Serbisë që Ujmani e Trepça të bëhen tema negociatash”, ka shkruar ajo.

Tutje, ajo ka kërkuar  të insistohet në reparacione për dëmet e mëdha ekonomike, të cilat Serbia ia ka shkaktuar Kosovës gjatë viteve ’90 si dhe në heqjen e plotë të barrierave jotarifore, të cilat Serbia ua ka vënë mallrave nga Kosova.

“Si përfundim, zbatimi i marrëveshjes, si çështje kyqe, mund të bëhet vetëm nëse marrëveshja arrihet nga një qeveri me besim qytetar që ka legjitimitet burimor. Nëse veprohet ndryshe, rezultati dihet: marrëveshje e paimplementueshme e polarizim i skajshëm që nuk është në interes të Kosovës” ka shkruar Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka shkruar se  diaspora e Kosovës e në veçanti ajo në SHBA, ka luajtur rol jetik në ndërtimin e përkrahjes për shtetin tonë dhe avansimin e interesave te shqiptarëve dhe për këtë shkak  mirëpret rolin e tyre aktiv në rritjen e përkrahjes për Kosovën.