Osmani: Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin kanë diskutuar lidhur me nevojën për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve” – tha presidentja Osmani.

Sipas saj, forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

Ajo ka theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Sipas njoftimit, Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë” – thuhet në njoftim.

Sipas Osmanit, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Vizitën e tij në Kosovë, Hasani e ka filluar me takimin që ka mbajtur me homologen e tij Donika Gërvalla.

Ndërsa më pas është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.