Foto: Presidenca e Kosovës
Osmani - Escobarit në Podgoricë: Duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e marrëveshjeve
Gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri të Malit të Zi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar në Podgoricë një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton Presidenca, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Në njoftim thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes” – vazhdon njoftimi i Presidencës.