Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Osmani e quan "qesharake" deklaratën e Konjufcës lidhur me moskoordinimin për letrën e dërguar në KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “qesharake” deklaratën e kryekuvendarit, Glauk Konjufca, për mosinformimin rreth letrës që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e kishte dërguar në Këshillin e Europës pa u konsultuar me presidenten e vendit. Në një pronocim para gazetarëve, Konjufca e ka “shfajësuar” në një formë ministren e Jashtme, duke thënë se Osmani ato ditë kishte qenë jashtë vendit.

Kësaj deklarate i është përgjigjur Osmani duke thënë se në kohën moderne ekzistojnë mundësi të shumta të komunikimit dhe se arsyetimi se ajo nuk ka qenë në Kosovë është qesharak.

“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë. Do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë, sepse jemi në vitin 2024, ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi”- tha presidentja Osmani për EkonomiaOnline.

Sipas saj, të gjitha komunikimet mes zyrtarëve të shtetit përgjatë këtyre tri vjet e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kanë qenë pikërisht përmes telefonit, sepse çdoherë njëri nga zyrtarët ka qenë jashtë vendit.

Osmani shtoi se gjithçka ka “rënë në ujë” me ofertën që është bërë atë ditë nga Gërvalla, sepse sipas saj, ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që i kanë dhënë tre liderët.

Prandaj, ajo tha se është domosdoshmëri kushtetuese, në përputhje me nenin 84, që Qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme, e që sipas Kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës.

“E të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj te Presidenca, që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake”- tha Osmani.

Ajo deklaroi se të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë “24 orë në çdo ditë të javës” në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale, sidomos në fushën e politikës së jashtme, që janë brenda mandatit të presidentes.

 “E kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te Kryetari i Kuvendit, sepse me të kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tema të rëndësishme edhe kur jemi jashtë vendit’- u shpreh Osmani.

Ajo ka parashtruar një pyetje për Konjufcën dhe Qeverinë se si dikush në Gjermani e kuptoi për letrën që po i dërgohej Këshillit të Europës, e asaj nuk i ishte dërguar me arsyetimin se ka qenë jashtë vendit.

“Në qoftë se tema paska qenë të mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njëri nga shoqëria civile në Gjermani, që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botojë atë në Twitter. Pra për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, ka thënë Osmani.

Kryekuvendari Konjufca ka thënë se përplasja ka ardhur për shkak se e para e shtetit ka qenë jashtë vendit dhe qeveria, përkatësisht MPJD-ja, nuk kanë arritur ta informojnë atë me kohë.

“Kuvendi, Presidenca, unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e ministries së Jashtme. Kjo, kam hamendësuar që ka mundur të ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte  në ShBA, e për shkak të largësisë me siguri”- tha Konjufca.

Sipas tij, jo çdo hollësi e cila  ndryshonte çdo minutë, në ditën e votimit të Këshillit të Ministrave mund të ndahet dhe koordinohet, duke shtuar se nuk sheh mosvullnet nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të bëj diçka te qëllimshme kundër Presidentes. 

“Ka qenë thjeshtë teknikisht një largësi e madhe gjë që ka pamundësuar që ndryshimet çdo minutë që i ka bërë Qeveria e Kosovës, të arrijnë të krijojnë atmosferën që Kosova të hynte në agjendë. Nuk ka mundur t’i ndaj të gjitha me Presidencën dhe Presidenca e ka pas reagimin e saj”- tha Konjufca.

Më 16.05.2024, Presidenca e Kosovës kishte reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin dhe draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Paraprakisht, të njëjtë ditë, ministrja Gërvalla- Schwarz në konferencën për media e pyetur nga gazetarët se a ka pasur dakordim në mes institucioneve për letrën e dërguar në KiE, ajo tha se “koordinimi në institucioneve është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm”.

“Sa i përket koordinimit të jeni e sigurt mes që koordinimi është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm të jeni të sigurt që edhe presidentja sic e keni parë ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve, sot kjo letër nuk është diçka e re është vetëm një përsëritje “ – tha Gërvalla-Schwarz më 16.05.2024.

Gërvalla- Schwarz më 16.05.2024 se  i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.