ORCA: 5 profesorë me pozita menaxheriale paguhen më shumë se Presidenti

Pesë pjesëtarë të stafit menaxherial të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e kanë rrogën më të lartë se sa të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas ligjit të ri për paga në sektorin publik, Presidenti e ka pagën 2 mijë e 390 euro, kurse 5 profesorët me pozita menaxheriale në UP e kanë pagën mbi 2 mijë e 800 euro.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në top 5-shen janë dekani i Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, Ahmet Shala që merr 3 mijë e 367 euro në muaj, pas tij është prodekani i po këtij fakultetit, Ilir Doci me 3 mijë e 352 euro në muaj dhe prodekani tjetër i FIM-së, Nexhat Qehaja me 3 mijë e 343 euro në muaj.

Në këtë listë janë edhe prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Myrvete Badivuku-Pantina, e cila në muaj merr 3 mijë e 124 euro . Kjo i bie se ajo paguhet më shumë se rektori i UP-së, Marjan Dema i cili merr 2 mijë e 810 euro në muaj.

Kurse pak më pak me se këta paguhet dekani i Fakultetit Juridik në UP, Haxhi Gashi që në muaj merr 2 mijë e 839 euro.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka bërë të ditur se në këtë hulumtim të titulluar “Borgjezia e Akademisë” janë marrë për bazë deklarimet e pasurisë së stafit menaxherial të universiteteve publike në Kosovë.

Drejtori i kësaj organizate, Rron Gjinovci tha se profesorët në Kosovë janë më të paguarit në rajon, ku pagesa mujore arrin deri në 3 mijë e 500 euro.

“Profesorët e universiteteve publike në Kosovë paguhen shumë më shumë se profesorët e shteteve fqinje. Profesorët e Shqipërisë paguhen nga 600 deri në 1000 euro, ndërkohë në Maqedoni paguhen nga 400 deri në 600 euro. Kurse në Kosovë janë nga 772 euro për asistent deri në 1429 euro për profesorë të rregullt, ku kanë edhe shtesa të tjera për funksione të ndryshme”, tha Gjinovci.

Tutje ai ka thënë se në total 170 profesorë me pozita menaxheriale në universitetet publike të Kosovës paguhen 313 mijë e 354 euro në muaj, nga të cilat mbi 124 mijë euro janë shtesa.

Në grafikën e më poshtme mund t’i shihni 5 pjesëtarët e stafit menaxherial më të ardhurat më të larta në muaj, 5 rektorët më të paguar, 5 prorektorët, 5 dekanët dhe 5 pro dekanët.

www.kallxo.com