Protesta e Opozitës në Shqipëri | Foto: REL

Opozita në Shqipëri në protestë, kërkohet dorëheqja e Ramës

Nën sloganin “Shqipërisë i dalim zot”, opozita shqiptare mbajti protestën e katërt të thirrur nga Partia Demokratike (PD), që kur drejtimin e këtij subjekti e mori Sali Berisha.

Protesta vjen pas rastit “McGonigal”, ish-zyrtari i lartë i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), i cili u arrestua edhe për lidhjet e dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria.

Para qindra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë së Shqipërisë, përfaqësuesit e opozitës kërkuan largimin e kryeministrit, Edi Rama.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se protesta e 11 shkurtit është dita e “siparit te revolucionit demokratik”.

“Rama jep dorëheqjen, pas aktit te pabesë ndaj aleates sonë më të madhe, SHBA-së. Duke korruptuar një zyrtar të FBI-së, ke kryer një akt të pashembullt, kjo është tradhtia më e ulët. Për shkakun e tij, Shqipëria shihet si një vend ku mafia pastron paratë e krimit, ai e ka kthyer vendin në Kolumbinë e Evropës. Revolucioni ynë nuk ndalet deri në largimin e Ramës”, tha Berisha.

Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha se Rama e zëvendësoi integrimin evropian me “korruptimin ndërkombëtar”.

“Çdo qelizë e qeverisjes është e korruptuar, ndërsa qytetarë të shumë jetojnë në kufijtë e varfërisë. Me ne sot janë edhe punonjësit e administratës që frikësohen nga presionet politike. Numërimi mbrapsht për rrëzimin e Ramës ka filluar. Populli ka vendosur largimin e Ramës, ai është tashmë subjekt i drejtësisë, përgjegjës i shpopullimit të vendit”, tha Meta para protestuesve.

Mbi 1.000 forca të policisë mbikëqyrën protestën, duke krijuar një kordon para dhe përreth ndërtesës së Kryeministrisë.

Në rrugët kryesore pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Policia shqiptare ndaloi qarkullimin e mjeteve pas orës 10:00.

Protesta e opozitës nisi duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Turqi dhe në Siri./REL