Opozita kundërshton krijimin e një Agjencie Koordinuese të Inspektorateve nën Zyrën e Kryeministrit

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar ministrja Rozeta Hajdari duke paraqitur projektligjin për inspektimet.

Hajdari ka thënë se ky projektligj duhet të procedohet me shpejtësi në Kuvend për shkak të rrezikshmërisë së produkteve që gjenden në treg.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj ka pyetur Ministrinë e Tregtisë si sponsorizuese e këtij projektligji se pse parashihet që inspektoratet të jenë nën përgjegjësinë e Zyrës së Kryeministrit.

“Duhet të di që sa i përket ligjit se pse duhet të strukturohet inspektorati në një agjension, cilat kanë qenë mangësitë e inspektoratit dhe pse duhet ta koncentroni që përgjegjësinë ta merr zyra e kryeministrit. A është veprim politik që gjithçka të kontrollohet nga Zyra e Kryeministrit apo mendoni se do ta menaxhojë më mirë. Për mua është e papranueshme që të koncentrohet inspektorati në Zyrën e Kryeministrit”, ka thënë Lekaj.

Lekaj ka shtuar se ka pasur moskoordinime në mes të inspektorateve, ndërsa ka thënë se nëse inspektoratet hyjnë nën Zyrën e Kryeministrisë nuk do të funksionojë siç duhet.

Në anën tjetër ministrja Hajdari ka thënë që kjo zyre e inspektorëve vetëm do të ketë një rol koordinues nga Zyra e Kryeministrit dhe do të jetë më e vogël se Agjencitë e Pavarura ndërsa nuk do të censurojë asnjë trupë inspektuese.

“Ky projektligj është gjetur si draft dhe ne e kemi thjeshtuar edhe më shumë. Ky projektligj është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve për shkak se do të përfshihen shumë inspektime të ushqimit, barnave e do t’u mundësojë inspektorëve të inspektojnë edhe pa paralajmërim kur ka ndonjë rast. Nuk cenohet asnjë rol i inspektorateve të veçanta. Kjo nuk është iniciativë për të censuruar askënd por është reformë në fushën e inspektimeve”, ka thënë Hajdari.

Gjithashtu, kryetari i komisionit Ferat Shala ka kundërshtuar që ky projektligj të shkojë me procedurë të përshpejtuar.

Shala ka thënë se nëse kjo është reformë e trupave inspektuese atëherë duhet të shkojë me procedurë normale.

Gjithashtu Shala ka kërkuar edhe koston se sa do të kushtojë ky projektligj.

Hajdari ka thënë se tashmë Qeveria ka ndarë 1 milion euro për projektligjin për inspektime.

Deputeti Abelard Tahiri ka kërkuar nga ministrja Hajdari që të tërheqin propozimin për krijimin e këtij agjencioni në kuadër të zyrës së kryeministrit për shkak se, sipas tij, një agjencion i tij do të bjerë në kundërshtim me ligjet e tjera e me përgjegjësitë e komunave e inspektorëve të tjerë.

Tutje Tahiri ka kërkuar nga Hajdari që të ketë një analizë më të thellë e po ashtu edhe të formohet ndonjë grup ndërministror për analizën e secilit inspektorat.