OKB: Numri i refugjatëve ukrainas arrin në mbi 4 milionë

Mbi 4.1 milionë civilë janë larguar tani nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, bën të ditur UNHCR, agjencia e OKB-së për refugjatët.

Agjencia në fjalë tha se të dhënat e fundit tani tregojnë se 4,102,876 ukrainas ishin larguar nga vendi që nga muaji i kaluar, me gra dhe fëmijë që përbëjnë 90% të atyre që janë larguar.

“Të detyruar të ikim për të shpëtuar jetën e tyre, të detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre, të detyruar të jenë të ndarë nga familja. Kjo tragjedi duhet të ndalet”, tha UNHCR.

Këto të dhëna vijnë pasi autoritetet në Kiev pretendojnë se të paktën 148 fëmijë janë vrarë në sulmet ajrore ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës me 24 shkurt të këtij viti.

Ministria ukrainase e mbrojtjes shtoi se 1,370 raketa janë shkrepur dhe 15 aeroporte ukrainase janë shkatërruar që nga 24 shkurti.

Po vazhdon lufta në Ukrainë edhe sot në ditën e 37-të.

Më 24 shkurt, Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak dhe thotë se nuk do t’a ndalojë derisa të arrihen plotësisht objektivat e saja të përcaktuara për këtë “operacion”./Sky News

Përgatiti: Nuhi Shala