O’Connell takon zyrtarë të VV-së, Kurti i flet për zgjedhjet e reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, shefi i Grupit Parlamentar, të VV-së, Glauk Konjufca dhe dy deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, pritën në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruairi O’Connell, si dhe sekretarin politik, Samuel Paice.

Sipas një njoftimi të VV-së, zyrtarët e kësaj partie e falënderuan ambasadorin për bashkëpunimin gjatë misionit të tij në Kosovë dhe për qasjen e sinqertë që kishte në relacion me institucionet e vendit.

“Gjatë këtyre viteve, Ambasadori O’Connell gjithashtu dha një kontribut drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në njoftim.

Kurti citohet të ketë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të shpallën së shpejti dhe domosdoshmërinë e ardhjes së një qeverie të re, e cila sipas tij, në theks ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e sidomos përmirësimin e cilësisë së arsimit e shëndetësisë.

“Populli ynë përherë është falënderues ndaj mbështetjes së pa rezervë të Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesor dhe një prej shteteve më të fuqishme në Evropë. Shteti ynë duhet të punojë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e z. O’Connell. E, kjo arrihet me një qeveri e cila nuk ka të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar”, thuhet në shkrimin e VV-së të publikuar në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje i ka dëshiruar dhe uruar ambasadorit O’Connell suksese në angazhimet e tij të radhës.

Gjatë ditës së sotme ambasadori O’Connell ka takuar edhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij.