Personi iArrestuar Ilustrim

Njësia Speciale FAST ALBANIA arreston të kërkuarin dhe të dënuarin për drogë

Sot rreth mesditës Njësia Speciale e Policisë shqiptare – FAST ALBANIA, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lëvizjen e një personi të shpallur në kërkim, i cili qarkullonte me dokument të falsifikuar për t’iu shmangur identifikimit nga punonjësit e Policisë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Teleferiku”.

Si rezultat i organizimit të mirë të operacionit, në vendin e quajtur “Rruga e Teleferikut” është bërë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim J. Çela, 30 vjeç, banues në Tepelenë.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi në vitin 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.

Në momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjet një dokument i falsifikuar, me fotografinë e tij dhe të dhënat e vëllait të tij, me qëllim që t’i shmangej identifikimit nga ana e punonjësve të Policisë, njofton Policia e Shtetit.