QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Një person në gjendje të rëndë nga ethet e minjve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon te qytetarët që të mos përdorin fruta mali të palara sepse mund të sëmuren nga ethet e minjve.

“Duke pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Sipas njoftimit, këtë vit është një rast i raportuar nga Klinika Infektive në gjendje të rëndë klinike.

“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse” paralajmëron IKSHPK.

Sipas tyre, në organizmin e njeriut shkaktari hyn përmes traktit respirator, traktit tretës dhe përmes lëkurës.

“Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Po qe se të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

IKSHPK tregon se cilat janë masat parandaluese: Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane, ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve, përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë, frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar, djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos të konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar, gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve, larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies, mos hidhni mbeturina kudo, të bëhet klorimi i ujit të pijes, zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve, dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.